Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka publikuar të dhënat e monitorimit të cilësisë së shërbimit për telefoninë e lëvizshme për vitin 2024.
Sipar raportit, sa u përket investimeve në infrastrukturë, për vitin 2024, operatori “One Albania” ka ndërtuar 13 stacione të reja (macro dhe micro) në akset rrugore dhe zonat turistike, ndërsa për vitin 2025 planifikon ndërtimin e 9 stacioneve të tjera. Po ashtu, “Vodafone Albania” ka ndërtuar 12 stacione të reja gjatë 2024 dhe është duke përgatitur buxhetet për investime të mëtejshme në vitin 2025.
Ndërkohë, për mbulimin e zonave bregdetare, “One Albania” ka ndërtuar 10 stacione në vitin 2024 dhe ka planifikuar ndërtimin e 6 të tjerave për vitin 2025. “Vodafone Albania” ka ngritur 11 stacione në plazhe gjatë viti 2024, ndërsa po harton buxhetet për investimet e ardhshme.
Situata në zonat turistike
AKEP konstaton se në zonat turistike si Thethi, Vermoshi, Lëpusha, Valbona, Sotirë (bashkia Gramsh), Dardha, Voskopoja, janë përmirësuar shërbimet e telefonisë së lëvizshme. Për t’u përmirësuar mbetet situata zonën turistike të Lëpushës, si edhe zona turistike e Lurës për të cilën nevojiten përmirësime nga të dy operatorët si dhe e akseve rrugore drejt zonave turistike për të cilat është kërkuar marrja e masave për përmirësime.
Gjithashtu në ByPass-in e Vlorës dhe në tunelin e Llogorasë është rritur ndjeshëm përqindja e mbulimit me shërbim. Në tunelin e Llogorasë ofrimi i shërbimit të telefonisë së lëvizshme është brenda parametrave optimalë.
Ndërsa në Rrugën Kardhiq – Delvinë dhe tuneli i Skërficës i përfshirë në këtë aks, Rruga e Arbrit, aksi rrugor Vlorë – Kuç – Gusmar – Tepelenë, si dhe aksi Ura Leskos – Qeparo, operatorët kanë parashikuar ndërtimin e stacioneve të reja për përmirësimin e shërbimit të telefonisë së lëvizshme.
Sfidat me ndërtimin e site-ve (ministacioneve) të reja
AKEP thekson se ndërtimi i site-ve të reja për mbulim më të mirë të territorit po has vështirësi për shkak të vonesave në marrjen e lejeve mjedisore, refuzimit nga banorët për vendosjen e pajisjeve në godina private dhe mosrinovimit të kontratave të qirasë nga institucionet publike, shqetësime të cilat janë përcjellë nga operatorët pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe AKEP ka vijuar kërkesat për zgjidhje.
Për zonat me sinjal të dobët, operatorët janë orientuar nga AKEP të optimizojnë antenat ekzistuese dhe të vendosin stacione provizore deri në ndërtimin e atyre përfundimtare.
Për një pjesë të spektrit të frekuencave në brezat 900 dhe 1800 MHz, të dy operatorëve celularë u përfundonte afati i vlefshmërisë në mesin e vitit 2024.
Për rinovimin e autorizimeve individuale me afat 15-vjeçar AKEP ka kërkuar nga të dy operatorët që mbulimi i zonave të banuara duhet të arrijë deri në 99% për çdo qark, nga 95% më parë; mbulimi në të gjithë territorin kombëtar duhet të jetë të paktën 95%, ndërsa 99% për rrugët kombëtare të kategorive A dhe B, tunelet dhe zonat me rëndësi zhvillimore; 96% për rrugët e kategorive më të ulëta; dhe deri në 99% për zonat turistike dhe të mbrojtura.
Gjithashtu, operatorët janë të detyruar të dorëzojnë çdo vit, brenda muajit shkurt, për pesë vitet e para, një raport vjetor pranë AKEP mbi progresin në përmbushjen e këtyre kushteve, me fokus të veçantë në zonat ende të pambuluara. /ekofin.al


