Policia ka përfunduar operacionin e quajtur “Wrong Delivery”, duke arrestuar katër persona dhe duke shpallur një tjetër në kërkim. Ata dyshohen se bashkëpunonin për të hedhur në treg kartëmonedha euro të falsifikuara.
Gjatë operacionit, u sekuestruan 11 pako që përmbanin para të dyshuara të falsifikuara. Hetimi u zhvillua nga Seksioni i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Të arrestuarit janë: A. B., 19 vjeç, nga Shkodra; një 17-vjeçar nga Tirana; S. L., 26 vjeç, nga Tirana; E. A., 19 vjeç, nga Tirana.
Ndërsa në kërkim është shpallur A. P., 19 vjeç, nga Kruja.
Sipas Policisë, S. L., E. A. dhe i mituri u kapën në momentin që po përpiqeshin të tërhiqnin në një zyrë poste në Tiranë pakot me kartëmonedhat e dyshuara. Dërguesi i tyre, A. B., përdorte një emër tregtar të rremë për të fshehur aktivitetin dhe për të shpërndarë paratë e falsifikuara.
Policia thotë se hetimet vazhdojnë për të kapur personin e shpallur në kërkim dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale. Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës për procedurat e mëtejshme.

