Të dhënat nga raporti i OECD tregojnë se rritja e prodhimit global mbeti elastike në vitin 2024, me zgjerime të fuqishme në Shtetet e Bashkuara dhe disa ekonomi të mëdha të tregjeve në zhvillim, duke përfshirë Kinën.
Treguesit e fundit të aktivitetit kanë filluar të tregojnë për një zbutje të perspektivave të rritjes globale. Ndjenja e biznesit dhe konsumatorit është dobësuar në disa vende dhe treguesit e pasigurisë së politikave ekonomike janë rritur ndjeshëm në mbarë botën.
Ndryshime të rëndësishme kanë ndodhur në politikat tregtare, që nëse mbahen, do të godasin rritjen globale dhe do të rrisin inflacionin.
Presionet inflacioniste vazhdojnë të mbeten në shumë ekonomi. Inflacioni i shërbimeve është ende i lartë, me tregjet e punës të shtrënguara dhe inflacioni i mallrave po rritet nga nivele shumë të ulëta.
Sipas parashikimeve, rritja globale e PBB-së parashikohet të zvogëlohet nga 3.2% në 2024, në 3.1% në 2025 dhe 3.0% në 2026, me barriera më të larta tregtare në disa ekonomi të G20-ës dhe pasiguri gjeopolitike dhe politike në rritje që rëndon mbi investimet dhe shpenzimet e familjeve.
Rritja vjetore e PBB-së në Shtetet e Bashkuara parashikohet të ngadalësohet nga ritmi i saj i fortë i kohëve të fundit, të jetë 2.2% në 2025 dhe 1.6% në 2026.
Ndërsa rritja e PBB-së në Eurozonë parashikohet të jetë 1.0% në 2025 dhe 1.2% në 2026, pasi pasiguria e shtuar e mban të frenuar rritjen. Rritja në Kinë parashikohet të ngadalësohet nga 4.8% këtë vit në 4.4% në 2026.
Sa i përket inflacionit, parashikohet të jetë më i lartë se sa pritej më parë, ndonëse ende i moderuar ndërsa rritja ekonomike zbutet. Inflacioni total parashikohet të bjerë nga 3.8% në 2025 në 3.2% në 2026 në ekonomitë e G20. Inflacioni bazë tani parashikohet të mbetet mbi objektivat e bankës qendrore në shumë vende në vitin 2026, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Këto parashikime bazohen në një supozim se tarifat dypalëshe midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara dhe midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara rriten me 25 pikë përqindje shtesë për pothuajse të gjitha importet e mallrave nga prilli.
Aktiviteti do të ishte më i fortë dhe inflacioni më i ulët në të tri ekonomitë nëse këto rritje tarifash do të ishin më të ulëta ose do të kufizoheshin në një gamë më të vogël mallrash, por rritja globale do të ishte ende më e dobët se sa pritej më parë./ekofin.al