Shqipëria ka një nga normat më të larta të përdorimit të faturimit elektronik në Ballkanin Perëndimor, por OECD paralajmëron se përdorimi i një teknologjie të detyruar me ligj nuk do të thotë domosdoshmërisht se bizneset kanë kaluar në një digjitalizim të thellë të aktivitetit.
Sipas anketës, 77% e bizneseve shqiptare të përfshira përdorin faturimin elektronik, niveli i dytë më i lartë në rajon pas Serbisë me 78%. Diferenca është e madhe me Kosovën, ku norma është 31%, dhe Maqedoninë e Veriut, me vetëm 12%. OECD e lidh drejtpërdrejt nivelin e lartë të Shqipërisë dhe Serbisë me detyrimet rregullatore të vendosura në këto vende.
Por përtej faturës elektronike tabloja ndryshon ndjeshëm. Në kampionin rajonal, OECD e përkufizon digjitalizimin e SME-ve si “të përhapur, por të cekët”. Kompania tipike përdor vetëm dy mjete digjitale, ndërsa 43% e bizneseve përdorin vetëm një. Sistemet që integrojnë realisht proceset e kompanisë, si cloud, ERP dhe CRM, përdoren vetëm nga 10-20% e firmave të anketuara, ndërsa përdorimi i analizës së të dhënave të mëdha është rreth 2%.
Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e digjitalizimit vazhdon të lidhet me detyrimet administrative ose me praninë bazë në internet, dhe jo me ndryshimin e mënyrës se si organizohet biznesi. Në nivel rajonal, faturimi elektronik përdoret nga 58% e kompanive, rrjetet sociale nga 47% dhe faqet e internetit nga 41%, mjete që OECD i lidh kryesisht me përputhshmërinë dhe dukshmërinë e kompanive dhe më pak me integrimin e proceseve.
Hendeku bëhet veçanërisht i rëndësishëm për kompanitë që kërkojnë të shesin jashtë vendit. Mes firmave të Ballkanit Perëndimor që sigurojnë mbi 80% të të ardhurave nga eksportet, 41% përdorin cloud, ndërsa ERP dhe CRM përdoren nga 18% secila, afërsisht dyfishi i niveleve të kompanive me aktivitet sporadik eksportues. OECD e lidh këtë me kërkesat më të larta për organizim, raportim dhe përputhshmëri që sjell pjesëmarrja në zinxhirët e furnizimit të BE-së.
Për Shqipërinë, shifra 77% tregon suksesin e shtrirjes së faturimit elektronik, por për OECD sfida mbetet kalimi nga përdorimi i teknologjisë për të përmbushur një detyrim, te përdorimi i saj për të ulur kostot, automatizuar proceset dhe konkurruar në tregjet evropiane. /ekofin.al
