Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) po zgjeron bashkëpunimin ndërkombëtar për forcimin e kapaciteteve të zyrtarëve të prokurimit publik, në një kohë kur procesi i integrimit evropian kërkon përafrim gjithnjë e më të madh me legjislacionin dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
OBP nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e së Drejtës Evropiane (ERA), e cila parashikon në një fazë të parë vlerësimin e nevojave për zhvillimin profesional dhe trajnimin e zyrtarëve të prokurimit. Marrëveshja u nënshkrua nga Administratori i OBP, Jonaid Myzyri dhe drejtuesi i Bordit të Menaxhimit të ERA-s, Viktor Vadász.
ERA do të asistojë institucionin në realizimin e një vlerësimi të strukturuar të nevojave për trajnim. Përmes këtij procesi synohet të identifikohen fushat ku zyrtarët kanë më shumë nevojë për ngritjen e kapaciteteve dhe, mbi këtë bazë, të orientohen programet e ardhshme të trajnimit.
Programet pritet të lidhen veçanërisht me zhvillimet e legjislacionit dhe praktikave evropiane në fushën e prokurimit publik. Marrëveshja vjen në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, i cili kërkon jo vetëm përafrimin e kuadrit ligjor, por edhe forcimin e kapaciteteve të administratës për zbatimin e standardeve evropiane.
Një prej elementeve që merr rëndësi të veçantë në bashkëpunimin mes OBP-së dhe ERA-s është edhe transformimi digjital i prokurimit publik.
Palët kanë diskutuar zhvillimin e infrastrukturës dhe të zgjidhjeve të bazuara në Inteligjencën Artificiale për procedurat e prokurimit, krahas integrimit më të ngushtë të Shqipërisë me tregun evropian të prokurimit publik.
Përdorimi i teknologjive të reja dhe Inteligjencës Artificiale po kthehet në një prej çështjeve me interes për modernizimin e proceseve të prokurimit, ndërsa marrëveshja synon që zhvillimi profesional i ekspertëve shqiptarë të ecë paralelisht me këto ndryshime.
Bashkëpunimi nuk do të kufizohet vetëm te vlerësimi fillestar i nevojave. OBP dhe ERA kanë rënë dakord të eksplorojnë mundësi të tjera bashkëpunimi në vijim.
Në varësi të nevojave që do të evidentohen nga procesi i vlerësimit, trajnimet e ardhshme mund të organizohen fizikisht në Trier të Gjermanisë ose në Tiranë, por edhe online.
Marrëveshja e re pason edhe angazhimet e fundit të OBP-së për trajnimin e stafit në fushën e së drejtës evropiane të prokurimeve. Zyrtarë të institucionit kanë marrë pjesë së fundmi në Trier në “Kursin për ligjin e prokurimit publik evropian” të ERA-s, ku trajtimi përfshiu kuadrin ligjor evropian, kriteret e përzgjedhjes dhe vlerësimit, procedurat e prokurimit, koncesionet, format e ankimit, prokurimin strategjik dhe praktikën gjyqësore përkatëse.
Me formalizimin e bashkëpunimit përmes marrëveshjes së fundit, OBP synon ta çojë këtë marrëdhënie në një nivel më të strukturuar, duke e lidhur trajnimin e stafit me nevojat konkrete të institucionit dhe me procesin e përafrimit të prokurimit publik shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
Akademia e së Drejtës Evropiane (ERA) është një institucion me seli në Trier të Gjermanisë, me shumë peshë në arkitekturën evropiane të së drejtës dhe i specializuar në trajnimin e profesionistëve të së drejtës për legjislacionin dhe praktikat e Bashkimit Evropian. President i Bordit Drejtues të ERA është Jean-Claude Juncker, politikan veteran, ish-President i Komisionit Evropian dhe ish-Kryeministër i Luksemburgut. /ekofin.al

