Administrimi i objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje pritet të hyjë në një fazë të re rregullimi dhe centralizimi. Një projektligj i hedhur për konsultim publik parashikon shtesa dhe ndryshime të thella në ligjin nr. 66/2023, me synimin për të zgjidhur problematikat e evidentuara në zbatim dhe për ta bërë më efikas përdorimin e këtyre pasurive në funksion të interesit publik, strehimit social dhe gjenerimit të të ardhurave.
Në thelb, projektligji ndërton një model të ri administrimi të përqendruar te Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), duke i dhënë asaj rolin e autoritetit të vetëm përgjegjës për administrimin, zhvillimin, përdorimin dhe shitjen e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje.
Nga kompetenca të shpërndara, te një strukturë unike vendimmarrëse
Relacioni shpjegues evidenton se ligji aktual ka prodhuar vonesa, paqartësi dhe amortizim të objekteve, për shkak të vendimmarrjes së fragmentuar ndërmjet disa institucioneve, përfshirë Komisionin e Objekteve të Konfiskuara, ministrinë përgjegjëse dhe njësitë e zbatimit. Në këtë kuadër, projektligji propozon shfuqizimin e strukturave që mbivendosnin kompetencat dhe kalimin e plotë të përgjegjësive te AAPSK, si një organ unik dhe i specializuar.
Ky centralizim synon jo vetëm përshpejtimin e procedurave, por edhe rritjen e llogaridhënies institucionale dhe shmangien e konflikteve ndërinstitucionale që kanë shoqëruar administrimin e këtyre pasurive vitet e fundit.
Grup pune i përhershëm dhe regjistër elektronik publik
Një risi e rëndësishme është krijimi i Grupit të Punës të përhershëm pranë AAPSK-së, i cili do të ketë rol teknik dhe vlerësues. Ky grup do të analizojë gjendjen juridike, teknike dhe financiare të çdo objekti të konfiskuar, do të propozojë mënyrën më të përshtatshme të administrimit dhe do të vlerësojë nëse objekti duhet të përdoret për interes publik, strehim social apo të shitet.
Paralelisht, projektligji parashikon ngritjen e një Regjistri Elektronik të Objekteve të Konfiskuara, i cili do të jetë i aksesueshëm për institucionet dhe publikun. Ky mekanizëm synon të adresojë mungesën e transparencës që ka penguar deri më tani përdorimin efektiv të këtyre pasurive dhe të krijojë një bazë të qartë informacioni për çdo objekt të konfiskuar.
Fond i dedikuar dhe më shumë fleksibilitet financiar
Një tjetër element kyç i projektligjit lidhet me forcimin e fondit të veçantë/të dedikuar për ndërtimet pa leje. Fondi do të përdoret për përfundimin, përmirësimin ose përshtatjen e objekteve të konfiskuara dhe do të miratohet nga ministri përgjegjës, me propozim të AAPSK-së.
Të ardhurat e krijuara nga shitja e objekteve do të derdhen në këtë fond, duke synuar krijimin e një mekanizmi financiar të vetëqëndrueshëm, që shmang varësinë nga buxheti i shtetit dhe vonesat në financimin e projekteve.
Shitje me ankand dhe kufizime për ndërtuesit e paligjshëm
Projektligji rregullon në mënyrë më të detajuar procedurat e shitjes së objekteve të konfiskuara, duke parashikuar ankand publik si formën kryesore të disponimit. Njëkohësisht, ndalohet pjesëmarrja në ankande e subjekteve që kanë qenë të lidhura me ndërtimin e paligjshëm të objektit, një dispozitë që synon të shmangë riciklimin e përfitimeve nga shkeljet ligjore.
AAPSK përjashtohet gjithashtu nga disa tarifa administrative dhe fiskale, përfshirë tarifat e aplikimit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me qëllim uljen e kostove dhe përshpejtimin e procedurave.
Çfarë pritet të ndryshojë në praktikë
Sipas relacionit shpjegues, zbatimi i këtyre ndryshimeve pritet të sjellë procedura më të shpejta dhe më të kontrollueshme, rritje të të ardhurave nga përdorimi dhe shitja e objekteve, si dhe një nivel më të lartë transparence dhe sigurie juridike për pronarët e truallit dhe palët e treta.
Megjithatë, forcimi i rolit të AAPSK-së e vendos agjencinë përballë një përgjegjësie të shtuar, duke e bërë thelbësore rritjen e kapaciteteve teknike, njerëzore dhe mekanizmave të kontrollit, në mënyrë që centralizimi të përkthehet realisht në efikasitet dhe jo në ngarkesë administrative. /ekofin.al
