Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në akset rrugore, duke ndëshkuar një numër të lartë drejtuesish mjetesh gjatë 48 orëve të fundit për shkelje të rregullave të qarkullimit. Sipas të dhënave zyrtare, janë evidentuar mbi 500 raste kundërvajtjesh administrative, ndërsa 12 persona janë arrestuar ose proceduar penalisht për manovra të rrezikshme që vunë në rrezik jetën e përdoruesve të rrugës.
Shkeljet më të shpeshta kanë qenë mosrespektimi i radhës në trafik, përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit dhe mosvendosja e rripit të sigurimit. Këto veprime, sipas policisë, kanë shkaktuar situata kaotike në qarkullim dhe kanë rritur ndjeshëm rrezikun për aksidente.
Policia Rrugore u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të zbatojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin përdorimin e celularit në timon dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes, duke theksuar se kontrollet do të vijojnë çdo ditë në të gjithë qarkun, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
