Banka e Shqipërisë ka publikuar normat e reja maksimale të interesit për kreditë konsumatorë për 6-mujorin e dytë të vitit 2023. Bazuar në ndryshimet e fundit rregullatore, të kryera në muajin mars, për kreditë e vogla, deri në 200 mijë lekë, si edhe për ato nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, norma maksimale e interesit është pezulluar dhe për këtë nuk do të ketë ndryshime.
Kjo do të thotë se norma maksimale për këto kredi do të qëndrojë në nivelet aktuale, respektivisht 118.96% për kreditë deri në 200 mijë lekë dhe 47.07% për fashën nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë.
Norma efektive e interesit (NEI) maksimale për shumat deri në 200 mijë lekë, për overdraftet, është rritur ndërkohë në 18.95%, nga 18.16% që ishte në 6-mujorin e parë të vitit. Ndërsa për kartat e kreditit, NEI është rritur në 28.23%, nga 27.18% që ishte në 6-mujorin e parë.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, për kreditë me vlerë nga 600 001 deri në 2 000 000 lekë, NEI maksimal do të zbresë në 17.27%, nga 23.63% që ishte në 6-mujorin e parë të vitit. Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.
Në bazë të ndryshimeve të bëra nga Banka e Shqipërisë në fund të vitit 2021, sipas rregullores “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare”, NEI maksimal do të llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë gjashtëmujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj. Nivelet e NEI-t maksimal publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në gjashtëmujorin paraardhës.
Në mars të këtij viti u miratuan disa ndryshime të tjera në këtë rregullore, ku u pezulluan për një vit ndryshimet e NEI-t maksimal, si edhe u vendos një interval i ri i shumave për llogaritjen e normës efektive maksimale të interesit, në fashën 600 001 deri në 2 000 000 lekë. Ndryshimet erdhën edhe si kërkesë e vazhdueshme e disa institucioneve të mikrofinancës, ku sipas tyre vendosja e një fashe të vetme nga 200 mijë deri në 2 milionë lekë, i ekspozonte në një konkurrencë me kushte të pabarabarta me sektorin bankar. /ekofin.al
