Kushtet e kreditimit në Shqipëri vijojnë të mbeten të favorshme, duke mbështetur rritjen e kredisë për sektorin privat si tek bizneset, ashtu edhe tek individët. Normat e ulëta të interesit dhe kostoja e reduktuar e depozitave po krijojnë terren për zgjerim të mëtejshëm të aktivitetit kreditues në muajt në vijim.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, norma e interesit të kredisë së re për biznese rezultoi mesatarisht 6.7% në tremujorin e dytë, nga 6.4% që shënonte në tremujorin e parë. Rritja e vërejtur në këtë tremujor ka qenë e pranishme në segmentin e kredive të mëdha (mbi 140 milionë lekë), ndërkohë që normat e interesit janë ulur për kreditë e vogla (nën 35 milionë lekë) dhe kanë mbetur të pandryshuara për kreditë mesatare. Përtej ndryshimeve afatshkurtra, normat e interesit për kreditë për biznese janë luhatur pranë një mesatareje prej 6.5% në tre vitet e fundit.
Në segmentin e individëve, normat e interesit janë shfaqur të qëndrueshme për kreditë hipotekare, në 3.8%, duke qëndruar pranë mesatares së shënuar që prej lehtësimit të politikës monetare në qershor të vitit të kaluar. Norma e interesit për kreditë konsumatore, e cila karakterizohet nga një luhatshmëri më e lartë, ka shënuar rritje këtë tremujor, në 8.9%, pas nivelit veçanërisht të ulët, prej 8.2%, të vërejtur në tremujorin e parë të vitit.
Sipas të dhënave, normat e interesit për kreditë në euro mbetën të qëndrueshme për bizneset dhe shënuan rritje të lehtë për kreditë hipotekare të individëve. Rënia e normës mesatare të interesit të kredisë së re në Euro për bizneset, e nisur prej gushtit të vitit të kaluar, u frenua në tremujorin e dytë. Ajo rezultoi 5.8% në këtë tremujor, duke qëndruar pranë vlerës mesatare të tremujorit të mëparshëm. Sipas madhësisë, normat e interesit kanë rënë lehtësisht për kreditë e vogla (deri në 250 mijë euro) dhe për ato mesatare, por janë rritur për kreditë e mëdha (mbi 1 milion euro).
Ndërkohë, norma mesatare e interesit për kreditë hipotekare në euro për individët rezultoi 5.1% në këtë tremujor, me një rritje të lehtë nga niveli prej 4.9% i dy tremujorëve paraardhës.
Diferenca e interesave të kredisë midis lekut dhe euros është rritur për bizneset, ndërkohë që mbetet negative, por në zvogëlim, për kreditë hipotekare të individëve.
Kredia për individë dhe biznese
Kredia për individë u rrit me 17.5%, një normë rritjeje kjo rreth 1.1 pikë përqindje më e lartë se në tremujorin e parë. Kjo rritje është mbështetur si nga përshpejtimi i normave të rritjes së kredisë për banesa ashtu edhe konsumatore. Rritja vjetore e kredisë për banesa (prej 17.9%) është më e larta e tre viteve të fundit. Ajo është mbështetur si nga kërkesa e lartë – në kushtet e çmimeve të larta të banesave në treg dhe nga normat e interesit në nivele të ulëta historike – ashtu dhe nga një përshpejtim i kërkesave për marrje kredie në prag të aplikimit të masave shtrënguese makroprudenciale në këtë segment. Paralelisht me të, në tri vitet e fundit është vërejtur edhe një rritje e vazhdueshme e kredisë konsumatore, e cila kulmoi në tremujorin e dytë të vitit 2025, me një rritje vjetore prej 19.3%. Zgjerimi i shpejtë i kësaj kredie reflekton përmirësimin e kushteve të ofertës prej disa tremujorësh.
Megjithatë, kreditimi i bizneseve vijon të jetë kontribuuesi kryesor në rritjen dinamike të kredisë për sektorin privat. Kredia për këtë segment u rrit me një normë vjetore prej 14.0% në tremujorin e dytë, normë kjo më e ulët se një tremujor më parë. Ky ngadalësim reflektoi moderimin e normave të rritjes, si të kredisë për kapital qarkullues ashtu edhe të asaj për qëllime investime.
Kjo e fundit u rrit me 15.9% nga 19.4% në tremujorin e parë, e ndikuar më së shumti nga efekti statistikor i bazës krahasuese. /ekofin.al
