Normat mesatare të interesit për depozitat në Lekë të individëve pësuan përsëri një rënie të lehtë në muajin korrik.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Lekë për individët ra në 1.45%, nga 1.46% që kishte qenë në muajin qershor.
Rënia e normës së interesit për depozitat e reja në muajt e fundit ka shkaktuar edhe frenimin e rritjes së normës mesatare të interesit për depozitat gjendje. Norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në Lekë të individëve në korrik zbriti në 1.77%, nga 1.84% që kishte qenë për muajin qershor.
Normat e interesit të depozitave filluan të rriteshin pas ndryshimit të kursit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, në mars të vitit të kaluar. Rritja u nxit sidomos nga një rritje e shpejtë e yield-eve të Bonove të Thesarit të qeverisë shqiptare, që tërhoqi një rritje të fortë të investimeve direkte të individëve dhe krijoi më shumë konkurrencë për kursimet e publikut. Por, rënia e yield-eve të bonove dhe obligacioneve që prej fillimit të këtij viti ka frenuar ndjeshëm rritjen e normave të interesit të depozitave.
Këtë vit, Banka e Shqipërisë e ka frenuar ciklin e rritjes së shpejtë të normave të interesit. Norma bazë është rritur vetëm një herë, në muajin mars dhe aktualisht ndodhet në 3%, një nga nivelet më të ulët në Europë. Ky frenim shpjegohet më së shumti me forcimin e lekut në kursin e këmbimit valutor.
Ndërkohë, rënia e normave të interesit për depozitat e reja po sjell edhe një frenim të dukshëm në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, që ka si qëllim rritjen e normave të interesit të produkteve financiare, me qëllim nxitjen e kursimit dhe frenimin e kreditimit.
Normat e interesit për depozitat në Euro shënuan rritje në muajin korrik, por sidoqoftë ngelen në nivele ndjeshëm më të ulëta krahasuar me depozitat në Lekë. Për muajin korrik, norma mesatare e interesit pë depozitat e reja në Euro arriti në 0.89%, nga 0.74% që ishte në muajin qershor. Normat e referencës së Euros kanë arritur në nivele më të larta krahasuar me ato të Lekut. Banka Qendrore Europiane e ka çuar normën bazë në 4.5%, ndërsa Euribori 12-mujor ka arritur tashmë në 4.22%. Por, pavarësisht kësaj, në tregun shqiptare normat e interesit që përfitohen nga depozitat në Euro ngelen shumë të ulëta.
Në rastin e Euros, konkurrenca e produkteve të tjera financiare është më e dobët, sepse individët nuk kanë shumë alternativa investimi financiar me rrezik të ulët, siç ndodh me Lekun. Gjithashtu, ndërmjetësimi në Euro për bankat ka kosto më të lartë, sepse Banka e Shqipërisë aplikon normë remunerimi zero për rezervat e detyrueshme në valutë, përveçse kërkon edhe nivele më të larta të këtyre rezervave. Për këto arsye, normat e interesit për depozitat në Euro ngelen më të ulëta krahasuar me ato në Lekë.
