Një projektues japonez ka zhvilluar një teknologji që gjeneron sasi shumë të vogla energjie elektrike nga materiale të përditshme, si toka, uji, ushqimet dhe mbetjet e ndërtimit.
Duke ndriçuar në errësirën e natës, në gjysmë të një kodre në Japoni, laboratori i testimit “Ku-An”, i ngjashëm me një serë, ndriçohet me energji elektrike të prodhuar nga 1 500 kuti prej druri të mbushura me tokë dhe kompost.
Projektuesi Satoshi Nakagawa është përballur prej kohësh me skeptikët, por beson se teknologjia që furnizon me energji 800 drita LED mund të ketë një rol në zgjidhjen e problemit energjetik të njerëzimit. Nëse jo, të paktën duket bukur dhe i bën njerëzit të mendojnë.
“Ndërsa popullsia e botës i afrohet 10 miliardë banorëve, çështjet e energjisë do të bëhen po aq kritike sa edhe çështjet e ushqimit”, thotë Nakagawa, drejtor ekzekutiv i kompanisë së projektimit Tripod Design. “Edhe nëse është vetëm një kontribut i vogël, dua që njerëzit të jenë në gjendje të prodhojnë energjinë e tyre elektrike duke përdorur tokën që kanë përreth”, i tha agjencisë së lajmeve AFP projektuesi dhe inxhinieri japonez.
Zonat pa rrjet elektrik dhe fermat mund të përfitojnë nga kjo teknologji
72-vjeçari thotë se ka zhvilluar atë që e quan “mbledhja e mikrofuqisë” (MPC) – një mënyrë për të marrë sasi shumë të vogla rryme elektrike nga materiale të ndryshme, që nga vera deri te buka franceze.
Sistemi i tij përdor të njëjtin mekanizëm si pilja voltaike, bateria e parë elektrike në botë që prodhonte rrymë të vazhdueshme, e shpikur në vitin 1799 nga Alessandro Volta.
Procesi përfshin futjen e elektrodave të përbëra nga materiale si zinku dhe bakri në substanca që përmbajnë lagështi ose jone, dhe më pas mbledhjen e rrymave elektrike të vogla, por të qëndrueshme.
Në afërsi të laboratorit “Ku-An”, të mbuluar me xham dhe të ndërtuar prej tij në qytetin e largët Hitachi-ota, ndodhet “Lu-An”, i cili u hap vitin e kaluar. Ai përdor më shumë se 2 000 cilindra plastikë të mbushur me tokë dhe kompost për të prodhuar një fuqi prej 100 vatësh – e mjaftueshme për të vënë në punë një tenxhere elektrike për gatimin e orizit dhe pajisje të tjera.
Nakagawa thotë se kjo teknologji mund të përdoret, për shembull, në vende pa energji elektrike, përfshirë periudhat pas fatkeqësive natyrore.
Ajo mund të sigurojë gjithashtu energji të mjaftueshme për pajisje që funksionojnë jashtë rrjetit elektrik dhe kërkojnë pak energji, si sensorë për zbulimin e dëmeve të shkaktuara nga dëmtuesit në tokat bujqësore, sensorë që paralajmërojnë për tejmbushjen e lumenjve, rrëshqitjet e dheut apo edhe alarmet kundër vjedhjeve.
Sipas Nakagawas, pasi instalohet, teknologjia nuk prodhon dioksid karboni dhe, ndryshe nga burimet e tjera të rinovueshme, si energjia diellore apo eolike, nuk varet nga kushtet atmosferike.
Kritikët thonë se mikrofuqia “nuk është praktike”
Ndër produktet prototip është një “nyje e pavarur” (stand-alone node) – një objekt në formë shtylle, i furnizuar me energji nga toka, i cili mundëson komunikimin e të dhënave me një satelit.
Ai e ka përdorur gjithashtu këtë teknologji për instalacione artistike me shufra fleksibël, të cilat, kur ngulen në tokë, kanë maja që ndriçojnë në errësirë si xixëllonja mbi barin e gjatë.
Inxhinierë profesionistë kanë thënë se produktet e Nakagawas mund të jenë estetikisht të bukura dhe nxitëse për mendim, por sistemi i tij nuk është praktik.
“Prodhimi i energjisë është ndjeshëm më i ulët krahasuar me bateritë e zakonshme ose bateritë e makinave”, thotë Masayuki Nakao, profesor emeritus i inxhinierisë në Universitetin e Tokios, i cili e njeh Nakagawan prej vitesh.
“Por ajo që është e veçantë në punën e zotit Nakagawa është se drita që ai krijon ka fuqinë të na emocionojë. Njerëzit preken kur i shohin këto drita. Ato janë të bukura”, thotë Nakao.
Nakagawa nuk është ndikuar nga skeptikët e tij dhe thotë se inxhinierët duhet të krijojnë produkte të reja që përfitojnë nga MPC-ja.
“Unë them se kjo është mikrofuuqi, ndaj duhet të mendojmë se çfarë mund të bëjë mikrofuuqia”, thotë ai.
“Duhet ta shohim kombinimin e teknologjive të ndryshme të mbledhjes së energjisë si një element thelbësor të strategjisë sonë të përgjithshme energjetike”, thotë ai. “Mundësitë janë të pakufishme.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
