Një tjetër resort turistik pritet të ndërtohet në jug të vendit. I vendosur përgjatë vijës malore të bregdetit të Dhërmiut, në Shqipëri, “The Veil” nga studioja artiketekturore spanjolle Ricardo Bofill Taller de Arquitectura propozon një resort që tërhiqet në mënyrë të kujdesshme brenda peizazhit natyror.
I konceptuar nën drejtimin e Pablo Bofill, me arkitektët Hernán Cortés dhe Alborz Mohammadi si drejtues dizajni, projekti zhvillohet në një kontekst ekologjik të ndjeshëm, ku pyjet e dendura gjetherënëse takohen me terrenin e pjerrët bregdetar. Në këtë rast, arkitektura operon me përmbajtje, duke ruajtur karakterin e vendit dhe duke minimizuar ndërhyrjen. Projekti do të ndërtohet nga kompania “Halisof” sh.p.k. me pronar Klaudio Riko.
I shpërndarë në dy parcela, zhvillimi përfshin 366 apartamente dhe 77 vila të organizuara në gjashtëmbëdhjetë tipologji. Në vend që të riformësojë terrenin përmes gërmimeve, ky ansambël i dendur, por i depërtueshëm, me volume në nuanca të gjelbra që ngrihen mes pemëve ekzistuese dhe hapen drejt Detit Jon, ndjek konturet natyrore të terrenit. Ndërtesat vendosen mbi platforma që përshtaten me pjerrësinë, duke krijuar përshtypjen e një shtrese të vazhdueshme dhe të lehtë mbi terren – një “vel” që prek tokën lehtë dhe i përshtatet parregullsive të saj.
“The Veil” modelon jetesën brenda kontureve të pyllit shqiptar
Një rrjet shtigjesh dhe shkallësh ngrihet mbi një bazë guri të marrë nga zona, i përzgjedhur për t’u përshtatur me tonet e peizazhit përreth. Katër variante ngjyrash, të nxjerra nga mostra të vetë sitit, krijojnë një vazhdimësi mes arkitekturës dhe terrenit. Studioja me bazë në Barcelonë ruan pemët ekzistuese sa herë që është e mundur dhe lë bimësinë kryesisht të paprekur, duke forcuar qasjen me ndikim të ulët të projektit.
Brenda këtij organizimi horizontal, ndërtesat zhvillohen vertikalisht mes pemëve për të kapur pamjet drejt Detit Jon. Dritaret e mëdha, tarracat, ballkonet dhe pishinat private zgjerojnë hapësirat e jetesës drejt jashtë, duke i dhënë resortit një karakter të hapur dhe të depërtueshëm. Volumet ndryshojnë në madhësi dhe konfigurim, por mbeten vizualisht kohezive falë një palete të përbashkët materialesh, si betoni dhe pllakat qeramike të glazuruara, që reflektojnë dritën dhe hijen.
Në zemër të zhvillimit, aktualisht në ndërtim, një ndërtesë kryesore komunitare do të përfshijë një klub social, restorant, palestër dhe një seri pishinash. Oborri i saj qendror devijon nga logjika drejtkëndore e pjesës tjetër të projektit, duke u përkulur lehtë rreth një grupi pemësh shekullore./Designboom

