Një startup francez i quajtur Robeauté ka arritur të grumbullojë 29 milionë dollarë për zhvillimin e një mikroroboti neurokirurgjikal.
Imagjinoni një pajisje jo më të madhe se një kokërr orizi që mund të udhëtojë me kujdes në shtigjet delikate të trurit, shkruan Fox News. Roboti mund të ndryshojë trajtimin e tumoreve në tru dhe sëmundjeve të tjera neurologjike duke i bërë ndërhyrjet kirurgjikale më të sigurta dhe të sakta se kurrë ndonjëherë.
Ndërhyrjet në tru janë shumë të ndërlikuara. Mjetet që kirurgët përdorin sot janë shumë të forta dhe mund të lëvizin vetëm në vija të drejta duke kufizuar zonën e operacionit. Shumë tumore janë të rrezikshëm për t’u arrirë pasi gjenden në zonat e funksioneve kryesore si të folurit apo të lëvizurit.
Në disa raste, kirurgët s‘kanë zgjidhje tjetër ndaj duhet ta lënë pacientin në gjendjen që ka. Edhe ilaçet nuk mbërrijnë në disa zona të trurit për shkak të pengesës gjak-tru.
Mikroroboti synon t’i kapërcejë të gjitha këto. Është vetëm 3 milimetra i gjatë dhe mund të hyjë në tru duke bërë një prerje vetëm 1 milimetër të gjerë.
Roboti nuk lëviz në vijë të drejtë por mund të ecë edhe në rrugë me kthesa duke shtyrë butësisht indet e trurit. Në majë ka unaza silikoni për të mos i dëmtuar indet. Ky lloj lëvizjeje është frymëzuar nga insektet që mund të ecin mbi ujë.
Brenda robotit, ka një ‘xhep’ me mjete kirurgjikale në miniaturë. Kur bën biopsi, ai përdor një gjilpërë të përkulshme dhe mini-forceps për të marrë kampionët e indeve. Kampionët mund të ruhen brenda tij apo të merren përmes një fijeje të lidhur me robotin.
Roboti mund të vendosë elektroda te të sëmurët me Parkinson apo të çojë ilaçet te tumori. Ai ka sensorë që dërgojë informacion në kohë reale drejt kirurgëve duke i ndihmuar të vëzhgojnë nga afër procedurën.
Rruga që ai përshkon është e planifikuar. Duke përdorur skanerët e kombinuar me Inteligjencën Artificiale, kirurgët mund të caktojnë rrugët e sigurta që shmangin zonat e ndjeshme të trurit. Gjatë ndërhyrjes, ata mund të rregullojnë pozicionin e robotit duke përdorur ultratinguj në kafkë dhe duke arritur saktësi milimetrike.
Deri më tani, mikroroboti është testuar klinikisht te delet duke dhënë rezultate të mira. Nuk ka pasur hemorragji çka tregon se pajisja mund të hyjë pa problem në tru.
Eksperimentet te njerëzit priten të fillojnë në vitin 2026 duke u fokuuar te mikrobiopsitë. Synimi është zgjerimi në tregun amerikan, miratimi nga FDA dhe prodhimi global në vitin 2030./tvklan.al

