Me zhvillimin e vrullshëm të turizmit në Shqipëri shtohet edhe nevoja për më shumë akomodim dhe veçanërisht për turistët elitarë, të cilët preferojnë emra me reputacion ndërkombëtar.
Në jug të vendit pritet të hapet “Radisson”, i cili tashmë ndodhet në Tiranë.
Komiteti i Investimeve Strategjike me vendimin e datës 10.4.2025 ka miratuar dhënien e Statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar” për projektin e investimit “Radisson Individuals Premium Borsh”, me subjekt “Grand Hotel Borsh” sh.p.k NUIS M01414027F. Ai parashikon realizimin e investimit mbi 27.6 milionë Euro.
Projekti zhvillohet në fshatin Borsh, Bashkia Himarë me sipërfaqe totale në pronësi private të ortakëve të subjektit aplikues Grand Hotel Borsh sh.p.k.
Statusi “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar” i jepet projektit të investimit “Radisson Individuals Premium Borsh” për një periudhë 3 – vjeçare.
Projekti përfshin të gjithë komponentët që i përkasin sektorit së turizmit si hotel brand me 5 yje, i cili do të përfshijë 240 dhoma dhe 4 vila private, i cili do të ofrojë gjithashtu një gamë të gjerë shërbimesh si beach bar, restorante, pishina, SPA, qendër sportive, park ujor, palestër, mini teatër etj.
Sipërfaqe totale është 18.500 m² (1.85 ha) në ZK 1253, në fshatin Borsh, Bashkia Himarë, e cila është në pronësi private të ortakëve të subjektit aplikues “Grand Hotel Borsh” sh.p.k.
Projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikon të punësojë 255 punonjës, thuhet në vendim.
Leja e ndërtimit është miratuar nga kryetari i Bashkisë Himarë me vendimin Nr. 166, Prot. 4720/2, datë 15.12.2022, “Strukturë 1-5 Kate me 1 kat nëntokë, me funksion hoteleri”, në ZK 1253, Borsh, Himarë.
Shoqëria aplikuese “Grand Hotel Borsh” sh.p.k, është pajisur me statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special”, miratuar me VKM- në nr. 405 datë 19.06.2024 dhe në vijim ka nënshkruar marrëveshjen e zhvillimit me Ministrinë e Turizmit nr. 4112/5 prot., datë 19.07.2024.
Projekti i propozuar ka nënshkruar marrëveshje me brandin ndërkombëtar “Radisson Hospitality Belgium SRL”. /ekofin.al