Përveç vajzave nga 1 janari i këtij viti edhe djemtë e moshës 13 vjeç po kryejnë vaksinën ndaj HPV-së, Virusi i Papilomës Njerëzor.
Shefja e fushatës së vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja tha sot në një prononcim për mediet se “në total janë 35 750 djem e vajza të datëlindjes 2013 që do të vaksihonen, ku 18 661 janë djem. Vaksina është gjendje në ISHP dhe është shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore për të vaksinuar të gjithë vajzat e djemtë në vazhdim”.
Sipas saj, vaksinimi ndaj HPV është një investim për shëndetin e brezave të ardhshëm.
“HPV është një nga agjentët më të rëndësishëm onkogjenik dhe shkaktar i kancerit të qafës së mitrës, te femrat dhe duke u lidhur gjithashtu edhe me disa lloj tjetër të kancerave. Vaksinimi ndaj HPV-së përbën një nga ndërhyrjet më efektive në parandalimin e këtyre kancerave. Aktualisht në 27 vende të BE-së e ofrojnë këtë vaksinë si për vajzat dhe për djemtë”, tha Daja.
Daja informoi se “Shqipëria ka futur vaksinën ndaj HPV nga nëntori 2022 për të gjitha vajzat 13 vjeç. Me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nga 1 janari përveç vajzave që do të vaksinohen, vaksina do të kryhet edhe tek djemtë që këtë vit mbushin 13 vjeç”.
Sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit, tha Daja, ku përfshihen 13 sëmundje që parandalohen nga vaksina në këtë kalendar në mënyrë të detyruar të gjithë djemtë dhe vajzat gjatë vitit 2026 dhe në vazhdim do të aplikojnë vaksinën ndaj HPV dhe vaksinën ndaj tetanoz-difeterisë.
Vaksina i përmban të katër shtamet e rrezikshme që mund të shkaktojnë problem si tek meshkujt edhe tek femrat.
HPV është Virusi i Papilomës Njerëzor, përgjegjës për kancerin në qafën e mitrës, i pari tumor i njohur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si tumor tërësisht me prejardhje nga një infeksion. Infeksioni nga HPV është më i përhapuri në infeksionet nëpërmjet transmetimit seksual.

