Ligji i ri për “paqen fiskale” ka hyrë në fazën e zbatimit dhe Administrata Tatimore ka nisur procedurat për identifikimin e subjekteve që do të përfitojnë nga fshirja ose shuarja e detyrimeve tatimore. Përmes një njoftimi zyrtar, Tatimet bëjnë me dije se brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit nr.11, datë 14 maj 2026, do të hartohet lista e plotë e tatimpaguesve përfitues dhe e atyre që përjashtohen nga skema.
Sipas njoftimit, komunikimi me bizneset dhe individët do të kryhet elektronikisht përmes sistemit “e-Filing”, ndërsa pas përfundimit të procesit do të nisë edhe kompensimi automatik i tepricave kreditore të TVSH-së ose tatimeve të tjera me detyrimet ekzistuese të subjekteve.
Skema e faljes ndahet në disa kategori, në varësi të periudhës kur janë krijuar detyrimet. Për detyrimet tatimore deri më 31 dhjetor 2014, ligji parashikon fshirje të plotë të principalit, gjobave dhe kamatëvonesave, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ku nuk falet detyrimi bazë.
Ndërkohë, për detyrimet e krijuara në periudhën 2015-2019 aplikohet një formulë lehtësuese me pagesë të pjesshme. Tatimpaguesit që paguajnë 50% të principalit nga 10 deri më 30 qershor 2026 do të përfitojnë faljen e 50% tjetër, ndërsa ata që paguajnë 75% të principalit deri më 31 dhjetor 2026 do të përfitojnë faljen e 25% të mbetur. Në të dy rastet, gjobat dhe interesat fshihen plotësisht.
Për periudhën 2020-2024 nuk parashikohet falje e principalit, por vetëm fshirje e gjobave dhe kamatëvonesave, me kusht që detyrimi bazë të paguhet i plotë deri në fund të vitit 2026.
Ligji sjell edhe disa lehtësime të tjera të rëndësishme për bizneset. Fshihen detyrimet e subjekteve të çregjistruara deri më 31 dhjetor 2024, me përjashtim të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Gjithashtu falen gjobat për deklarimet e vonuara, për pasqyrat financiare të dorëzuara me vonesë, si dhe penalitetet e krijuara nga ndryshime ligjore me efekt prapaveprues ose vendime gjyqësore të formës së prerë.
Një tjetër element i rëndësishëm është mundësia që të përfitojnë edhe subjektet që janë në proces ankimi administrativ ose gjyqësor, por vetëm nëse heqin dorë nga padia apo ankimi. Kërkesa duhet të paraqitet pranë drejtorive rajonale tatimore duke nisur nga 10 qershori 2026 dhe jo më vonë se 30 nëntori 2026.
Nga skema përjashtohen subjektet e dënuara me vendim të formës së prerë për vepra penale tatimore apo doganore, si dhe ato që janë aktualisht nën hetim ose në proces gjyqësor për këto çështje.
Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre në “e-Filing” dhe të respektojnë afatet e pagesave për të përfituar nga lehtësitë e parashikuara në ligj. Në praktikë, kjo nismë pritet të shërbejë si një “reset” fiskal për mijëra biznese dhe individë me detyrime të prapambetura, ndërsa qeveria synon të rrisë arkëtimet përmes pagesës vullnetare të principalit dhe mbylljes së stokut të borxheve historike. /ekofin.al
