Viti 2024 shënoi një hap të rëndësishëm në modernizimin e sistemeve të mbrojtjes sociale, me Shërbimin Social Shtetëror (SHSSH) që ka nisur procesin e digjitalizimit të plotë të verifikimeve dhe përfitimeve nga skema e ndihmës ekonomike.
Sipas raportit vjetor të institucionit, një nga risitë më të rëndësishme është planifikimi i integrimit të Regjistrit Elektronik të Ndihmës Ekonomike me bazat kombëtare të të dhënave, si sistemi TIMS, për të kontrolluar lëvizjet e anëtarëve të familjeve përfituese jashtë vendit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, për të verifikuar pronësinë e pasurive të paluajtshme.
Këto ndërhyrje do të mundësojnë verifikim automatik dhe në kohë reale, duke reduktuar ndjeshëm abuzimet dhe duke rritur transparencën e skemës. SHSSH parashikon që falë këtij procesi, çdo përfitues të ketë një profil të integruar elektronik, ku të pasqyrohen të ardhurat, lëvizjet, pronësia dhe historiku i ndihmës sociale.
“Objektivi ynë është ndërtimi i një sistemi inteligjent, që jo vetëm jep ndihmë ekonomike, por edhe parandalon padrejtësitë sociale,” – i tha ekofin.al drejtoresha e përgjithshme e SHSSH, znj. Reme Xholi. “Kemi kaluar nga monitorimi manual në analiza të bazuara në të dhëna, që na lejojnë të shohim në kohë reale kush ka vërtet nevojë për mbështetje dhe kush jo.”
Përveç teknologjisë, SHSSH ka rekomanduar ndryshime të rëndësishme ligjore për forcimin e rolit të institucionit dhe për t’i dhënë kompetencë vendosjeje të sanksioneve administrative ndaj rasteve të abuzimit. Po ashtu, është kërkuar rritja e kapaciteteve njerëzore dhe financiare, si dhe një sistem i ri monitorimi për administratorët shoqërorë, që do të kenë varësi të dyfishtë – nga SHSSH dhe njësitë vendore.
Një tjetër element inovativ është propozimi për diferencimin e masës së ndihmës sipas nivelit të varfërisë: familjet në varfëri ekstreme do të përfitojnë mbështetje më të lartë dhe shërbime të integruara, duke kaluar nga ndihma fikse mujore në një model dinamik të asistencës sociale.
Modernizimi i sistemit pritet të shndërrojë Shërbimin Social Shtetëror në një institucion të bazuar te të dhënat, që kombinon ndihmën ekonomike me punësimin, edukimin dhe shërbimet shëndetësore, duke e bërë mbrojtjen sociale më efikase, më të drejtë dhe më transparente. /ekofin.al

