Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, i shumëpritur nga qytetarët dhe tregu imobiliar, po përballet me një bllokim praktik në zbatim, edhe pse ligji ka hyrë në fuqi më 22 janar. Shkaku kryesor lidhet me mungesën e akteve nënligjore, konkretisht me udhëzimin e përbashkët që duhet të miratohet nga Ministria e Financave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, i cili do të përcaktojë procedurat konkrete për aplikimin e rivlerësimit.
Burime nga Financat i thanë Ekofin se udhëzimi nuk pritet të dalë përpara se të miratohen nga qeveria referencat e reja të çmimeve sipas qarqeve. Sipas të njëjtave burime, pa këtë vendim të Këshillit të Ministrave, administrata nuk mund të finalizojë kuadrin teknik të zbatimit, pasi referencat përbëjnë bazën mbi të cilën llogaritet vlera e re fiskale e pasurive.
Referencat e reja të çmimeve u hodhën në konsultim publik së bashku me projektligjin e rivlerësimit në fund të korrikut 2025. Megjithatë, që prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë lëvizje formale për miratimin e tyre. Kjo situatë ka krijuar një “vakum” administrativ: ligji është në fuqi, por mekanizmi i zbatimit mungon.
Në tregun imobiliar, pritja po shoqërohet me pasiguri. Burime nga operatorët e pasurive të paluajtshme i thanë Ekofin.al se vonesa në miratimin e referencave të reja mund të lidhet me zhvillime të mëdha në sektorin e ndërtimit, veçanërisht me zbardhjen e disa lejeve të rëndësishme për resorte turistike, kryesisht në jug të vendit.
Sipas këtyre burimeve, referencat e reja do të sillnin një rritje të drejtpërdrejtë të taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtuesit, pasi kjo taksë llogaritet mbi bazën e vlerës referencë të pronës. Një rritje e referencave do të përkthehej automatikisht në kosto më të larta për projektet në fazë zhvillimi apo në pritje miratimi.
Në këtë kontekst, pezullimi i VKM-së për referencat po shihet si një faktor që mban të pandryshuara kostot fiskale për investimet e mëdha deri në një moment të dytë. Nëse referencat do të miratoheshin përpara finalizimit të disa lejeve strategjike, barra fiskale për zhvilluesit do të ishte ndjeshëm më e lartë.
Nga ana tjetër, për individët dhe bizneset që synojnë të përfitojnë nga rivlerësimi, çdo vonesë shtyn në kohë mundësinë për të rregulluar vlerën fiskale të pasurisë me normën preferenciale të parashikuar në ligj. Kjo ndikon drejtpërdrejt në planet për shitje, kalim pronësie apo ristrukturim asetesh.
Aktualisht, procesi mbetet në një pikë pritjeje: ligji ka hyrë në fuqi, por pa referencat e reja dhe pa udhëzimin e përbashkët të Financave dhe Kadastrës, rivlerësimi nuk mund të nisë realisht. Sytë janë tashmë nga qeveria, e cila duhet të vendosë për miratimin e VKM-së së referencave – hallka kyçe që do të zhbllokojë ose do të zgjasë më tej këtë ngërç fiskal dhe imobiliar. /ekofin.al
