“Varrezat e makinave”, të krijuara prej dekadash nga grumbullimi i automjeteve të sekuestruara nëpër bashkitë e vendit, po marrin fund dhe do të kthehen në hapësira të gjelbra apo projekte të dobishme për qytetarët.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga “varreza e provave” në Vlorë, duke theksuar se falë angazhimit të Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara po çlirohen hapësira publike të zëna ndër vite nga automjete të ndryshkura dhe të mbetura pa funksion.
“Më në fund, falë angazhimit të Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara, i erdhi fundi edhe varrezave të ‘provave’ që e nxinë jetën dhe nuk kishte zot që i shkulte nga kthetrat e burokracisë, duke grumbulluar për 30 e kusur vite në çdo bashki qendër qarku të Shqipërisë sasira të frikshme teneqerash e ndryshqesh; vatra ndotjeje të madhe që do t’ia lënë vendin gjelbërimit a projekteve të dobishme për komunitetin. Shikojeni ç’bëhet me varrezën e ‘provave’ në Vlorën turistike”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, automjetet që ende janë të përdorshme do t’u kalojnë institucioneve shtetërore për shërbim publik, ndërsa pjesa tjetër do të përpunohet e rikuperohet sipas ligjit.
Ky proces po nis të sjellë ndryshime konkrete në qytete. Vetëm pak ditë më parë, në Shkodër, një hapësirë e madhe e mbushur prej vitesh me makina dhe motorë të sekuestruar u pastrua dhe do të shndërrohet në park lojërash për fëmijët e komunitetit.
Me këtë nismë, qeveria synon jo vetëm të mbyllë një plagë të trashëguar për më shumë se tre dekada, por edhe t’u japë qytetarëve hapësira të reja publike me funksion social, rekreativ e shërbim komunitar.
