Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka publikuar për konsultim publik projektligjin “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve”, një nismë që synon të harmonizojë plotësisht legjislacionin shqiptar me kuadrin e Bashkimit Evropian për transparencën në tregjet e kapitalit.
Projektligji përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e infrastrukturës ligjore të tregut të rregulluar në Shqipëri, duke vendosur standarde të detajuara për publikimin e informacionit periodik dhe të vazhdueshëm nga emetuesit, titujt e të cilëve janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar.
Sipas relacionit të projektligjit, ky akt është përafruar plotësisht me Direktivën 2004/109/EC (e njohur si Transparency Directive) dhe aktet e saj ndryshuese, përfshirë zhvillimet më të fundit si raportimin e qëndrueshmërisë së korporatave (CSRD), formatin unik elektronik të raportimit financiar (ESEF) dhe krijimin e Pikës së Vetme Evropiane të Aksesit (ESAP). Kjo do të thotë se Shqipëria synon të adoptojë të njëjtat standarde transparence që zbatohen në tregjet e kapitalit të BE-së, duke rritur besimin e investitorëve dhe integrimin financiar.
Projektligji përcakton kërkesat për raportim financiar vjetor dhe gjashtëmujor. Raporti financiar vjetor duhet të publikohet brenda katër muajve nga mbyllja e vitit financiar dhe të qëndrojë publik për të paktën dhjetë vjet. Ai përfshin pasqyrat financiare të audituara, raportin e drejtimit të brendshëm dhe deklaratat e përgjegjësisë nga drejtuesit. Në rastet kur kërkohet, përfshihet edhe raportimi i qëndrueshmërisë dhe opinioni për dhënien e sigurisë mbi të. Një element me rëndësi është se nga 1 janari 2028 raportet financiare vjetore do të duhet të përgatiten sipas një formati unik elektronik raportimi, në përputhje me standardet teknike të BE-së (ESEF), çka do të rrisë krahasueshmërinë dhe analizueshmërinë e të dhënave financiare.
Raporti gjashtëmujor duhet të publikohet brenda tre muajve nga përfundimi i periudhës dhe përfshin pasqyra të përmbledhura financiare, raport ndërmjetëm të drejtimit dhe deklarata përgjegjësie. Nëse është audituar apo rishikuar, raporti i auditimit publikohet i plotë. Për herë të parë, në mënyrë të qartë, përfshihen edhe kërkesa specifike për raportimin e transaksioneve me palë të lidhura dhe për pagesat ndaj institucioneve shtetërore për shoqëritë që operojnë në industritë nxjerrëse dhe në shfrytëzimin e pyjeve.
Projektligji referon drejtpërdrejt legjislacionin për kontabilitetin dhe raportimin e qëndrueshmërisë, duke integruar kërkesat e reja për raportimin ESG (Environmental, Social, Governance). Emetuesit që janë subjekt i raportimit të qëndrueshmërisë duhet të përfshijnë raportin përkatës në raportin vjetor, të marrin opinion për dhënien e sigurisë mbi raportimin e qëndrueshmërisë dhe të publikojnë të plotë raportin e sigurisë. Kjo lëvizje sinjalizon kalimin e tregut shqiptar të kapitalit drejt një modeli më të avancuar dhe të harmonizuar me standardet evropiane.
Një nga kapitujt më të rëndësishëm të projektligjit lidhet me detyrimin për njoftimin e blerjes ose shitjes së zotërimeve të mëdha në kapital. Çdo aksionar që arrin, tejkalon ose bie nën pragjet 5%, 10%, 15%, 20%, 25%, 30%, 50% dhe 75% duhet të njoftojë emetuesin brenda katër ditëve tregtimi, ndërsa emetuesi duhet ta bëjë publik këtë informacion brenda tre ditëve tregtimi. Projektligji detajon mënyrën e përllogaritjes së të drejtave të votës, rastet e agregimit të zotërimeve në nivel grupi, përjashtimet për krijuesit e tregut, institucionet e kreditit dhe transaksionet për qëllime stabilizimi, si dhe detyrimet në rast marrëveshjesh për ushtrim të përbashkët të votës. Këto dispozita janë thelbësore për të garantuar transparencë mbi kontrollin real të shoqërive të listuara dhe për të parandaluar akumulimin e fshehtë të ndikimit në treg.
Projektligji përcakton gjithashtu konceptin e “shtetit të origjinës” dhe “shtetit pritës”, duke e trajtuar Republikën e Shqipërisë si shtet të origjinës apo pritës, sipas rastit, edhe pse nuk është anëtare e BE-së. Kjo është e rëndësishme për emetuesit shqiptarë që operojnë në tregje të rregulluara brenda dhe jashtë vendit, për emetuesit e huaj që listohen në Shqipëri dhe për koordinimin me autoritetet e tjera evropiane.
Projektligji parashikon përjashtime për Bankën e Shqipërisë dhe bankat qendrore, për shtetet dhe autoritetet publike, për emetuesit e titujve të borxhit me vlerë nominale të lartë, të barabartë ose mbi 100,000 euro, si dhe për institucione krediti që plotësojnë kushte specifike. Kjo shmang mbingarkesën rregullatore për instrumente me rrezik të kufizuar për investitorin e vogël.
Projektligji standardizon raportimin financiar dhe e afron atë me BE-në, forcon transparencën mbi strukturën e pronësisë, integron raportimin e qëndrueshmërisë në kuadrin e tregut të kapitalit, rrit përgjegjësinë e organeve drejtuese për saktësinë e informacionit dhe konsolidon rolin e AMF si autoritet mbikëqyrës me kompetenca të qarta kontrolli. Në një treg kapitali që ende është në fazë zhvillimi, ky projektligj krijon bazën për rritjen e besimit të investitorëve institucionalë dhe të huaj, si dhe për nxitjen e listimeve të reja në tregun e rregulluar.
AMF fton aktorët e tregut, përfshirë emetues, auditues, shoqëri komisionere, investitorë institucionalë dhe ekspertë, të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre. Nëse miratohet në formën aktuale, ligji pritet të shënojë një reformë strukturore në transparencën e tregut shqiptar të kapitalit dhe një hap të qartë drejt integrimit financiar evropian./ekofin.al

