Qeveria miraton Kodin e Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor, i cili zbatohet në Zonën Evropiane të Kërkimit, në përputhje me Kodin Evropian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor.
Kodi do të zbatohet nga të gjitha institutet dhe njësitë e veçanta kërkimore-shkencore, institucionet e arsimit të lartë, institucionet kërkimore, punonjësit kërkimorë-shkencorë, si dhe nga financuesit e shkencës dhe të kërkimit shkencor.
Sipas dokumentit, e gjithë veprimtaria duhet të zhvillohet sipas parimeve bazë të besueshmërisë që përfshin standarde të larta cilësie; ndershmërisë; respektit për çdo pjesëmarrës në veprimtarinë kërkimore-shkencore; përgjegjshmërisë që lidhet me menaxhimin dhe organizimin e përgjegjshëm të kërkimit shkencor, si dhe parimit të transparencës garanton që të dhënat, metodat dhe rezultatet e kërkimit të jenë të qarta dhe të aksesueshme, në përputhje me parimet e shkencës së hapur: të gjetshme, të aksesueshme, të ndërveprueshme dhe të ripërdorshme. Ky parim siguron njohjen e drejtë të kontributeve individuale dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi, duke forcuar besimin publik në kërkimin shkencor.
Në tërësi, këto parime përbëjnë boshtin etik të kërkimit shkencor dhe shërbejnë si udhërrëfyes për një shkencë të përgjegjshme, të besueshme dhe në shërbim të shoqërisë.
Dokumenti parashikon gjithashtu edhe masat disiplinore në varësi të shkeljeve të cilat ndahen në tre grupe kryesore si shkelje të lehta, të rënda dhe shumë të rënda.
Më konkretisht, për shkeljet e lehta jepet:
“Vërejtje me shkrim”, në rastin e manipulimin e produktit autorial, të paktën në një rast.
“Vërejtje me shkrim dhe trajnim për zbatimin e kodit të etikës në kërkimin shkencor”, në rast të mosdeklarimit të drejtpërdrejtë të faktit të një konflikti interesi të drejtpërdrejtë ose të mundshëm përgjatë procesit kërkimor-shkencor.
“Vërejtje me shkrim dhe reduktim i pagës me 30%”, kur shkelja vlerësohet se ka pasur ndikim më të theksuar në integritetin e procesit kërkimor-shkencor.
Për shkeljet e rënda vendoset:
“Reduktim i pagës nga 30% deri në 70% përgjatë zhvillimit të projektit shkencor”, në rast se konstatohet plagjiatura sipas kritereve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
“Vërejtje me shkrim për përjashtim nga projektet kërkimore-shkencore”, në rast të kompromentimit të etapave të ndryshme të veprimtarisë së kërkimit shkencor.
“Paralajmërim për ndërprerjen e kërkimit shkencor”, në rast të manipulimit të tërthortë ose të plotë të rezultateve, dokumentacionit, metodologjive ose të dhënave kërkimore; mosrespektimin e 1 deri në 2 parimeve dhe standardeve themelore të shkencës së hapur; manipulimin e 1 deri në 2 të dhënave të veprimtarisë kërkimore-shkencore në prezantimin e një rezultati të rremë; abuzimin me burimet financiare, kur shkaktohet dëm ekonomik deri në masën 15% të buxhetit total të projektit.
Për shkelje shumë të rënda vendoset:
“Transferimi i kërkimit shkencor një kërkuesi tjetër shkencor”, në rastin e plagjiaturës së përsëritur të evidentuar sipas kritereve të legjislacionit në fuqi.
“Revokimi, shkurtimi ose ndërprerja dhe rimbursimi i fondeve të kërkimit shkencor”, në rastin e mosrespektimit të çdo kriteri dhe standardi që mundëson zbatimin e parimit të shkencës së hapur në Republikën e Shqipërisë.
“Përjashtimi përkohësisht për të marrë pjesë në aktivitete dhe kërkime shkencore”, në rastin e mosrespektimit të çdo parimi të Kodit të Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor, sipas legjislacionit në fuqi.
“Shfuqizimi i kategorisë së punonjësit të kërkimit shkencor”, në rastet e tjetërsimit të dokumentacionit, metodologjisë ose të dhënave të kërkimit shkencor në rezultatet përfundimtare, duke prezantuar një rezultat të rremë.
Si realizohet ankimimi?
Procedurat për vendosjen dhe ankimimin e masave disiplinore rregullohen nga rregulloret e brendshme të instituteve ose njësive kërkimore-shkencore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Shqyrtimi i ankesave për shkelje të integritetit në shkencë dhe në kërkim shkencor kryhet nga Komiteti i Etikës pranë çdo institucioni kërkimor-shkencor dhe institucioni të arsimit të lartë.
Gjatë gjithë procesit garantohet konfidencialiteti, si dhe e drejta e palëve për t’u dëgjuar, për t’u përfaqësuar dhe për të paraqitur prova. Procedura fillestare e shqyrtimit duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga njoftimi i ankesës, ndërsa dëgjesa e kërkuesit të akuzuar zhvillohet sipas standardeve të hetimit, duke respektuar edhe të drejtën për të mos dëshmuar.
Procesi i shqyrtimit realizohet në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative dhe, në rast parregullsish ose dyshimesh mbi procedurën, palët kanë të drejtë t’i drejtohen organit gjyqësor kompetent për shqyrtim të mëtejshëm./ekofin.al
