Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hedhur për konsultim publik një projektligj që synon reformimin e plotë të sistemit të kontrollit të ndihmës shtetërore në Shqipëri, duke krijuar për herë të parë një Autoritet të pavarur për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore, me kompetenca më të forta hetimore, ndëshkuese dhe mbikëqyrëse.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9374, datë 21.04.2005 “Për ndihmën shtetërore”, i ndryshuar”, i hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, vjen si pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian dhe rekomandimet e progres-raporteve të Komisionit Europian për Kapitullin 8 “Politika e Konkurrencës”.
Aktualisht, kontrolli i ndihmës shtetërore realizohet nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore dhe Drejtoria përkatëse, por drafti propozon zëvendësimin e tyre me një Autoritet të ri të pavarur, me seli në Tiranë, i përbërë nga një Këshill Drejtues me pesë anëtarë dhe një Sekretariat teknik.
Sipas relacionit shpjegues, një nga problemet kryesore të evidentuara nga Komisioni Europian ka qenë mungesa e pavarësisë operacionale të strukturës aktuale dhe kapacitetet e kufizuara administrative. Për këtë arsye, reforma synon ta shkëpusë funksionalisht kontrollin e ndihmës shtetërore nga ndikimi i ekzekutivit, duke e kthyer në një institucion të ngjashëm me entet e tjera të pavarura rregullatore.
Drafti përcakton kritere të forta për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues. Kandidatët duhet të kenë të paktën 10 vite eksperiencë profesionale, prej të cilave 5 vite specifike në fushën e konkurrencës, ndihmës shtetërore ose financave publike, si dhe të kenë njohuri të dokumentuara mbi legjislacionin e Bashkimit Europian. Po ashtu, kërkohet që kandidatët të mos kenë mbajtur funksione drejtuese politike gjatë 5 viteve të fundit dhe të deklarojnë interesat ekonomike apo lidhjet me përfitues të ndihmës shtetërore.
Një tjetër risi lidhet me mekanizmat kundër konfliktit të interesit. Projektligji parashikon një periudhë “cooling-off” prej dy vitesh, gjatë së cilës ish-anëtarët e Këshillit nuk mund të përfaqësojnë kompani përpara Autoritetit apo të punësohen në subjekte për të cilat kanë marrë vendime gjatë mandatit të tyre.
Autoriteti i ri do të ketë edhe kompetenca të forta ndëshkuese. Në rast se ndërmarrjet japin informacion të pasaktë apo mashtrues, mund të vendosen gjoba deri në 1% të xhiros totale vjetore. Ndërkohë, për mosdorëzim informacioni apo zvarritje të procedurave, mund të aplikohen gjoba periodike deri në 5% të xhiros mesatare ditore për çdo ditë vonesë.
Për herë të parë parashikohet edhe një autonomi e plotë financiare për institucionin e ri. Buxheti i Autoritetit do të jetë zë më vete në Buxhetin e Shtetit dhe do të miratohet nga Kuvendi. Sipas relacionit financiar, kostoja e ngritjes së këtij institucioni llogaritet në rreth 55 milionë lekë për vitin e parë, ku përfshihen pagat e 5 anëtarëve të Këshillit Drejtues, rekrutimi i specialistëve të rinj, krijimi i infrastrukturës IT dhe ngritja e regjistrit elektronik të ndihmës shtetërore.
Projektligji synon gjithashtu të rrisë transparencën mbi mënyrën se si jepet ndihma shtetërore në Shqipëri. Autoriteti do të ketë detyrimin të publikojë vendimet, aktet nënligjore dhe raportin vjetor, ndërsa brenda datës 30 qershor të çdo viti do të raportojë në Kuvend për të gjitha skemat dhe ndihmat individuale të dhëna gjatë vitit paraardhës. /ekofin.al
