Një kuadër i ri ligjor për produktet artizanale dhe industriale synon të kthejë origjinën, traditën dhe reputacionin e një produkti në një aset të mbrojtur ekonomik. Projektligji sjell rregulla më të qarta për regjistrimin, kontrollin dhe mbrojtjen, ndërsa përafrimi me standardet evropiane krijon një bazë të re për mbrojtjen e produkteve shqiptare dhe potencialin e tyre në tregjet europiane.
Në ekonominë moderne, një produkt nuk konkurron vetëm me çmimin. Në shumë raste, ajo që e dallon dhe i jep vlerë është pikërisht origjina, reputacioni, mënyra e prodhimit dhe lidhja me një territor të caktuar. Një emër vendi mund të jetë histori, traditë dhe identitet, por mund të jetë edhe një aset ekonomik nëse kjo lidhje dokumentohet, kontrollohet dhe mbrohet juridikisht.
Pikërisht këtë synon të bëjë projektligji “Për Treguesit Gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”, një nga nismat që lidhen me reformën e pronësisë industriale në kuadër të Kapitullit 7 të negociatave me Bashkimin Europian.
Projektligji tashmë ka kaluar disa etapa të rëndësishme parlamentare. Në korrik 2026 ai u shqyrtua dhe u miratua në komisionet parlamentare përkatëse, duke iu afruar fazës së votimit përfundimtar në Kuvend.
Në planin juridik, nisma synon të krijojë për herë të parë një regjim të posaçëm dhe të plotë për mbrojtjen e treguesve gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale, në përputhje me kuadrin europian.
Në planin ekonomik, rëndësia është edhe më e drejtpërdrejtë: të bëjë të mbrojtshme dhe të monetizueshme lidhjen mes produktit dhe territorit.
Origjina bëhet aset ekonomik
Treguesi gjeografik nuk është thjesht një emër, logo apo element marketingu.
Në logjikën e Rregullores së BE-së 2023/2411, treguesi gjeografik lidhet me produkte artizanale dhe industriale që kanë një cilësi, reputacion ose karakteristikë tjetër të lidhur me origjinën e tyre gjeografike. Vetë rregullorja krijon në nivel europian rregulla për regjistrimin, mbrojtjen dhe kontrollin e këtyre produkteve.
Kjo do të thotë se një produkt mund të fitojë një identitet juridik dhe ekonomik të lidhur me territorin ku prodhohet dhe me karakteristikat që burojnë nga ajo origjinë.
Në këtë mënyrë, një produkt tradicional nuk mbështetet më vetëm te historia që përcillet nga një brez te tjetri. Origjina, mënyra e prodhimit dhe karakteristikat që e bëjnë produktin të veçantë mund të bëhen pjesë e një sistemi të formalizuar mbrojtjeje.
Tradita mund të kthehet në avantazh konkurrues
Ky është një nga ndryshimet më interesante që sjell kuadri i ri: territori nuk trajtohet vetëm si vendi ku prodhohet një mall, por si pjesë e vlerës së vetë produktit.
Projektligji është pjesë e reformës së Shqipërisë në fushën e pronësisë industriale dhe synon të krijojë një kuadër të posaçëm për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Projektligji përmban 89 nene, duke rregulluar në mënyrë të detajuar fusha që lidhen me regjistrimin, kundërshtimin, ndryshimin dhe anulimin e regjistrimeve, të drejtat e prodhuesve, kontrollin dhe mbrojtjen e treguesve gjeografikë.
Thelbi është krijimi i një sistemi më të plotë, ku përcaktohet se si lind mbrojtja, kush mund ta kërkojë atë, si kontrollohet produkti dhe çfarë ndodh kur një subjekt tjetër përpiqet të përfitojë në mënyrë të padrejtë nga reputacioni i tij.
Prodhuesit marrin rol qendror
Një nga elementet me rëndësi ekonomike është roli i grupeve të prodhuesve.
Treguesi gjeografik nuk është konceptuar thjesht si një pronë individuale e një kompanie. Logjika e tij lidhet me një territor dhe me një komunitet prodhuesish, të bërë bashkë në organizim juridik, që ndajnë karakteristika të përbashkëta të produktit.
Nëse artizanët, ndërmarrjet e vogla dhe prodhuesit e një zone arrijnë të bashkëpunojnë për përcaktimin e standardeve, dokumentimin e origjinës dhe promovimin e produktit, treguesi gjeografik mund të funksionojë si një aset kolektiv i territorit.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ekonomitë lokale, ku shumë prodhues të vegjël mund të kenë të njëjtin problem: produkti ekziston, tradita ekziston, por identiteti ekonomik dhe juridik i tij nuk është formalizuar.
Rregullorja europiane i jep prodhuesve detyra, të drejta dhe përgjegjësi për menaxhimin e treguesve gjeografikë, duke e lidhur sistemin jo vetëm me mbrojtjen, por edhe me menaxhimin e qëndrueshëm të produktit.
Më pak hapësirë për falsifikime dhe përdorim të padrejtë
Një nga funksionet kryesore të treguesit gjeografik është mbrojtja e emrit dhe reputacionit të produktit.
Projektligji parashikon një kuadër më të plotë kundër përdorimeve të paautorizuara, imitimit, evokimit dhe praktikave që mund të çorientojnë konsumatorin për origjinën ose karakteristikat e produktit.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një treg ku produktet shiten gjithnjë e më shumë edhe nëpërmjet kanaleve digjitale.
Një produkt që ka ndërtuar reputacion për shkak të territorit nuk duhet të konkurrojë me një produkt tjetër që përdor të njëjtin emër ose një emërtim të ngjashëm vetëm për të përfituar nga reputacioni i krijuar nga prodhuesit e zonës.
Këtu ndërthuret ligji i treguesve gjeografikë me mekanizmat e zbatimit të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Direktiva 2004/48/KE e BE-së përcakton standarde për masat, procedurat dhe mjetet juridike të nevojshme për zbatimin efektiv të të drejtave të pronësisë intelektuale, duke përfshirë masa si heqja e mallrave shkelëse nga kanalet e tregtisë, ndalimi i vazhdimit të shkeljes dhe kompensimi i dëmit.
Një derë më e qartë drejt tregut europian
Pika më strategjike e projektligjit është përafrimi me kuadrin e Bashkimit Europian.
Rregullorja (BE) 2023/2411 është akti europian që vendos sistemin e mbrojtjes së treguesve gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale. Ajo përcakton rregulla për regjistrimin, mbrojtjen dhe kontrollin e këtyre treguesve në nivel të BE-së.
Për Shqipërinë, përafrimi nuk është thjesht një detyrim teknik i procesit të integrimit. Ai krijon një bazë juridike më të përshtatshme për produktet shqiptare që synojnë të ndërtojnë reputacion përtej tregut vendas.
Produkti duhet më pas të plotësojë specifikimet, të kalojë mekanizmat e kontrollit dhe të përmbushë kërkesat e tjera që lidhen me vendosjen e produkteve në treg, etiketimin, sigurinë dhe mbrojtjen e konsumatorit. Vetë Rregullorja europiane e lidh regjistrimin dhe mbrojtjen me detyrimin për respektimin e legjislacionit tjetër të BE-së.
Pra, ligji mund të hapë derën, por nuk e bën vetë produktin konkurrues.
Çfarë mund të fitojë ekonomia shqiptare?
Efekti më interesant ekonomik i treguesve gjeografikë është mundësia për të krijuar vlerë të shtuar mbi një produkt që tashmë ekziston.
Në vend që një produkt tradicional të konkurrojë vetëm në bazë të kostos, ai mund të diferencohet nëpërmjet origjinës, reputacionit, karakteristikave dhe mënyrës së dokumentuar të prodhimit.
Kjo mund të ndikojë në rritjen e vlerës së produktit, pozicionimin në treg, besimin e konsumatorit, promovimin e prodhimit local, ruajtjen e zanateve tradicionale, forcimin e bashkëpunimit mes prodhuesve, zhvillimin e turizmit të lidhur me produktet dhe territore si dhe krijimin e mundësive më të mira për eksport.
Për një ekonomi si kjo e jona, ku një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë prodhuese është e shpërndarë në zona të ndryshme dhe shpesh mbështetet te ndërmarrjet e vogla, mbrojtja që vjen nga regjistrimi kthehet në domosdoshmëri
Një qilim, një punim artizanal, një produkt qeramike, një objekt dekorativ apo një produkt tjetër tradicional mund të ketë vlerë jo vetëm për atë që është, por edhe për vendin nga vjen dhe mënyrën se si është prodhuar./ekofin.al
