Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inivacionit, Delina Ibrahimaj prezantuan këtë të premte, 29 maj, Albanian Digital Solution Sh.A., një kompani që synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend.
“Kemi rritur dhe ngritur infrastrukturën digjital. Kemi ngritur e-Albania e cila ka 3.4 milionë përdorues. Kemi ndërtuar databazat, të cilat janë 70. Kemi ndërtuar infrastrukturën për identitetin elektronik. Përmes e-Albania ndër vite janë marrë 58 milionë shërbime publike.
Te gjitha këto janë element që shkojnë në shkurtimin e kostot dhe të kohës për qytetarët. Transformimi digjital ka sjellë më shumë transparencë dhe më pak korrupsion. Në çdo aplikim dokumentet apo vendimmarrjet lënë gjurmë.
Kjo është një meritë e padiskutueshme e AKSHI-t dhe stafit të saj. Pra sot Shqipëria konsiderohet një histori suksesi, duke u renditur e 8-ta në Europë për shërbimet digjitale dhe duke u renditur e 11-ta në botë. Në të njëjtën kohë ritmi i shërbimeve është shumë më i shpejtë se më parë”, tha ministrja Delina Ibrahimaj.
Gjatë prezantimit, Rama e cilësoi ngritjen e kësaj shoqërie si një domosdoshmëri të fazës së re të zhvillimit të qeverisjes elektronike, duke theksuar se pas suksesit të platformës e-Albania dhe zgjerimit të shërbimeve online, shteti tashmë synon të krijojë vetë sistemet dhe programet teknologjike që i nevojiten.
Kreu i qeverisë vlerësoi rolin e AKSHI-t në procesin e digjitalizimit, duke e quajtur atë një “histori të jashtëzakonshme suksesi”, që nga nisja me pak shërbime e deri tek qindra shërbime të ofruara online për qytetarët. Rama nënvizoi se platforma e-Albania luajti një rol kyç gjatë pandemisë, duke u kthyer në një mjet të domosdoshëm për zbatimin e masave kufizuese dhe garantimin e aksesit të qytetarëve në shërbime pa pasur nevojë për paraqitje fizike.
Sipas Ramës, krijimi i ADS do t’i japë fund varësisë së shtetit nga kompanitë private për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale. Ai deklaroi se kompania e re do të funksionojë me standardet më të larta të tregut teknologjik, duke ofruar paga konkurruese për ekspertët dhe programuesit shqiptarë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kryeministri shtoi se ambicia e qeverisë është që ADS të kthehet në kompaninë më të suksesshme të tregut digjital në vend, e fokusuar ekskluzivisht në shërbimet publike.
Rama bëri të ditur gjithashtu se, sipas parashikimeve të qeverisë, brenda tre viteve ADS pritet t’i kursejë buxhetit të shtetit një shumë të konsiderueshme financiare, të barabartë me kostot aktuale të mirëmbajtjes së sistemeve elektronike. Ai theksoi se kjo qasje e re do të bëjë që kompanitë private të orientohen më shumë drejt tregut privat, ndërsa shteti do të ndërtojë kapacitetet e veta teknologjike përmes kompanisë së re.
“Sot ne bëjmë publike një kompani të re, një shoqëri të re, e cila krijohet si një domosdoshmëri në këtë fazë të re të zhvillimit, të qeverisjes elektronike. AKSHI është një histori e jashtëzakonshëm suksesi, e cila ka kaluar nëpërmjet një rruge aspak të lehtë, e cila ka nisur me një grusht shërbimet dhe më pas ka kulmuar me një qind e kusur shërbimesh.
Platforma e-Albania u bë shpëtimtare për shëndetin e shqiptarëve, të cilët përmes saj patën të mundur të zbatojnë masat kufizuese gjatë pandemisë. Gjatë kësaj kohe, kostoja e financimit ka ardhur duke u rritur. Një rrugë ku qartësisht lindi nevoja për të ndarë udhëheqjes elektronike. Për ta ndarë jo më mes sektorit publik dhe privat, por në radhë të parë mes sektorit publik dhe atij privat. ADS do të krijojë sisteme, pa patur nevojën që shtetit t’i drejtohet privatit, por që shteti të krijojë kompaninë më të suksesshme në treg për krijimin e pogrameve.
Një kompani që të ketë pagat më të larta të tregut digjital, që talenteve brenda dhe jashtë vendit t’u ofrojë mundësinë që të jenë pjesë e saj. Një kompani që të ofrojë përgjegjësinë më të lartë qytetare. Kjo është ambicia e cila ka edhe një faturë shumë domethënëse dhe kuptimplotë. Brenda 3 viteve ne do i kursejmë shtetit, një shumë të barabartë me shumën që shkon për mirëmbajtje. Qeveria duke marrë këtë rrugë, do të kthejë sytë e kompanive nga sektori privat. ADS do të jetë një superfuqi në treg, por e përqendruar në shërbimet publike”, u shpreh kryeministri.
“Suedezët prodhojnë uniforma në një fshat shqiptar!”
Teksa u ndal te fusha e mbrojtjes, kryeministri rreshtoi disa kompani që do sjellin një sërë risish në vend.
“Kompani e krijuar që së shpejti do japë produktet e para është Guna, e cila së shpejti do të prodhojë të gjitha uniformat e shtetit shqiptar. Në Shqipëri prodhohen uniforma për ushtrinë suedeze, në një zonë rurale të vendit. Një manifakturë modeste, ushtria suedeze! Ndërkohë shteti shqiptar rrokanisej, uniforma këtu, uniforma aty, këpuca e majtë, bam e bum nëpër prokurorira, nëpër kanale ankimimesh. Të gjitha lojëra që përfundonin në turpe. Sot ne kemi këtë kompani të përbashkët që do prodhojë uniforma për ne, ushtrinë, zjarrfikësit, Policinë e Shtetit, madje edhe për ushtritë e tjera të NATO-s. Ne kemi krijuar një traditë në historinë e qepjes, shqepjen e bënim kur merreshim me shtetin. Qepjen në privat!”, deklaroi ai.
Më tej, deklaroi se faza e parë për PS-në kur erdhi në pushtet ishte me epokën digjitale, më [as faza e digjitalizimit të shërbimeve, nërsa faza aktuale ajo e administratës inteligjente.
“Kemi nisur jo vetëm projektin e madh të transformimi të prokurimeve, por edhe futjen e agjentëve me Inteligjencë Artificiale në nivelin e parë të qeverisjes. Kemi nisur me ministritë, me sektorët e financave dhe shërbimet juridike të ministrive, duke angazhuar një strukturë të posaçme duke kaluar në përdorimin e agjentëve për t’i dhënë shpejtësi e integritet dhe një cilësi të padiskutueshme të gjitha akteve që lidhen me financat dhe shërbimet juridike”, nënvizoi Rama.
“Për pak javë do disbursojmë një fond tjetër”, përfundoi kreu i qeverisë duke theksuar se janë rritur ndjeshëm aplikimet për start up-et. Fond, që paralajmëroi se do rritet në mënyrë të vazhdueshme.
“Të rinjtë do të mund të transformojnë jetën e tyre dhe të ndihmojnë me transformimin e vendit. Të gjithë ata që merren me elektronikë, nga sot e kanë të hapur rrugën për të aplikuar dhe për t’u bërë pjesë e kësaj kompanie. Do i paguajë punonjësit më mirë se çdo kompani në treg!”, ishte apeli i kryeministrit në mbyllje të fjalës së tij.
