Administrata Tatimore ka publikuar listën e pagave indikative për profesionet në sektorin mjekësor dhe atë të shërbimeve të kujdesit personal (estetikë), duke sinjalizuar një fazë të re kontrolli mbi deklarimet e pagave në këto aktivitete me risk të lartë informaliteti. Lista do të përdoret si një instrument referues në analizën e riskut, me synimin për të identifikuar rastet e mundshme të nën-deklarimit të pagave reale nga subjektet.
Pagat variojnë nga 75 mijë për berberët deri në 215 mijë për mjekët kirurgë.
Ky zhvillim vjen në një moment kur administrata po rrit përdorimin e analizës së të dhënave dhe krahasimeve sektoriale për të targetuar kontrollet. Në praktikë, të dhënat e deklaruara nga bizneset në listëpagesa do të krahasohen me nivelet indikative për secilin profesion. Diferencat e theksuara, veçanërisht deklarimet nën nivelin e referencës, do të konsiderohen indikator risku dhe do të çojnë në verifikime të thelluara nga strukturat e specializuara të tatimeve.
Në fokus janë jo vetëm pagat e ulëta të deklaruara, por edhe praktikat e devijimit përmes ndryshimit të kategorisë së profesionit. Kjo skemë, e përdorur shpesh për të ulur barrën e kontributeve, pritet të jetë një nga objektivat kryesorë të kontrolleve. Tatimet paralajmërojnë se çdo mospërputhje e tillë do të trajtohet si tentativë për shmangie dhe do të ndiqet me masa administrative.
Sektorët e mjekësisë private dhe estetikës konsiderohen ndër më problematikët për sa i përket deklarimit real të pagave, për shkak të niveleve të larta të të ardhurave dhe strukturave fleksibël të punësimit. Pikërisht për këtë arsye, përdorimi i pagave indikative synon të krijojë një prag të qartë për administratën dhe njëkohësisht të rrisë presionin për deklarim korrekt nga bizneset.
Nga këndvështrimi fiskal dhe social, kjo nismë lidhet drejtpërdrejt me rritjen e bazës së kontributeve të sigurimeve shoqërore. Deklarimi i pagave reale përkthehet në më shumë të ardhura për skemat e sigurimeve dhe, në afatgjatë, në pensione më të larta për punonjësit. Në këtë kuadër, Administrata Tatimore u bën thirrje të gjitha subjekteve që të reflektojnë në mënyrë të saktë pagat reale të punonjësve, duke shmangur ekspozimin ndaj kontrolleve dhe penaliteteve.
Ky hap është pjesë e një strategjie më të gjerë të luftës kundër informalitetit, ku tatimet po kalojnë nga kontrollet masive drejt një modeli më inteligjent dhe të targetuar, të mbështetur në analiza risku dhe krahasime sektoriale. Për bizneset, mesazhi është i qartë: epoka e deklarimeve minimale për të ulur kostot po hyn në një fazë gjithnjë e më të vështirë për t’u mbajtur./ekofin.al

