Në kuadër të mbledhjeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington, zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, znj. Luljeta Minxhozi, mori pjesë sot në ceremoninë e rinënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në Ballkanin Perëndimor, me përfshirjen e Maqedonisë së Veriut si anëtare e re e kësaj nisme.
Me këtë hap, tashmë pesë banka qendrore të rajonit janë pjesë e projektit të përbashkët: Banka Qendrore e Bosnjë-Hercegovinës, Banka Qendrore e Kosovës, Banka Qendrore e Maqedonisë së Veriut, Banka Qendrore e Malit të Zi dhe Banka e Shqipërisë.
Në ceremoni morën pjesë gjithashtu Guvernatori i Bankës së Italisë, Fabio Panetta, dhe zëvendësguvernatorja Chiara Scotti, së bashku me drejtuesit më të lartë të bankave qendrore të rajonit, duke nënvizuar mbështetjen e Eurosistemit për integrimin financiar të Ballkanit Perëndimor.
Sipas marrëveshjes, Banka e Italisë do të ofrojë një sistem të unifikuar pagesash të shpejta për vendet e rajonit, të bazuar në një kopje të platformës TIPS (TARGET Instant Payment Settlement) – sistemi evropian për shlyerjen e pagesave në kohë reale, i zhvilluar nga Banka e Italisë në emër të Eurosistemit.
Kjo nismë strategjike, e miratuar nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), përfaqëson një hap madhor drejt modernizimit të infrastrukturës së pagesave në rajon, duke rritur ndjeshëm përfshirjen financiare, efikasitetin dhe sigurinë e transaksioneve ndërkufitare.
Në fjalën e saj, zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për përfshirjen digjitale dhe financiare të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe për afrim real të rajonit me tregun dhe standardet e Bashkimit Europian.
“Krijimi i një infrastrukture të përbashkët për pagesat e shpejta është një hap i rëndësishëm drejt integrimit ekonomik të rajonit dhe ndërtimit të një tregu financiar që i afrohet gjithnjë e më shumë modelit evropian,” – u shpreh znj. Minxhozi.
Kjo marrëveshje përfaqëson jo vetëm një modernizim teknologjik në fushën e shërbimeve financiare, por edhe një vullnet të përbashkët politik dhe institucional për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.
