Një ndryshim i madh po vjen për shumë njerëz që përdorin kompjuterë me Windows.
Microsoft po i jep fund mbështetjes për sistemin operativ Windows 10, që do të thotë se pas së martës, 14 tetor, këta kompjuterë mund të jenë në rrezik. Kjo ndodh sepse përditësimet e sigurisë do të ndalen, duke e bërë pajisjen më të cenueshme ndaj sulmeve. Microsoft po inkurajon përdoruesit të kalojnë falas në Windows 11, por jo të gjithë kompjuterët mund ta bëjnë këtë.
“Përfundimi i suportit për Windows 10 po shndërrohet në një katastrofë si për konsumatorët ashtu edhe për mjedisin”, tha Nathan Proctor, drejtor i lartë në grupin konsumator amerikan PIRG.
Çfarë do të thotë kjo për ju? Kush ndikohet?
Windows është sistemi operativ më i përdorur në botë — Microsoft thotë se është në mbi 1.4 miliardë pajisje globalisht. Sipas Statcounter, rreth 43% e tyre po përdornin Windows 10 në korrik 2025.
Në Mbretërinë e Bashkuar, udhëzuesi i konsumatorëve Which? vlerëson se mund të ketë ende 21 milionë njerëz që përdorin Windows 10.
Një sondazh në shtator zbuloi se rreth një e katërta e këtyre përdoruesve planifikojnë ta përdorin atë edhe pasi Microsoft ta ndërpresë mbështetjen zyrtare. Rreth një në shtatë thanë se planifikojnë të blejnë një kompjuter të ri.
Grupet e tjera të konsumatorëve kanë kritikuar këtë vendim, duke thënë se do të çojë në shpenzime të panevojshme dhe mbetje mjedisore.
“Një botë plot me pajisje jetëshkurtra që nuk mund t’i riparojmë, që humbasin mbështetjen softuerike ose përfundojnë në rrjedhën e mbetjeve — njerëzit janë lodhur nga kjo,” tha Proctor, i cili udhëheq fushatën për të drejtën e riparimit në SHBA. Ai shtoi: “Ne meritojmë teknologji që zgjat.”
Çfarë duhet të bësh?
Microsoft u jep përdoruesve individualë dy zgjedhje: ose kalimin në Windows 11, ose regjistrimin për të marrë përditësime shtesë sigurie për 12 muaj. Këto mund të bëhen nga seksioni “Privacy and Security” në cilësimet e sistemit. Përdoruesit që kanë kompjuterë të përputhshëm me Windows 11 mund ta përmirësojnë falas.
Megjithatë, shumë njerëz “do të duhet të blejnë pajisje të reja, edhe pse kompjuterët aktualë funksionojnë shumë mirë,” tha Proctor.
Nëse nuk dëshironi të avanconi menjëherë ose pajisja juaj është shumë e vjetër për Windows 11, mund të regjistroheni në një skemë që ofron përditësimet më të rëndësishme të sigurisë deri në tetor 2026.
Kjo quhet Extended Security Updates (ESU) – por nuk përfshin mbështetje teknike apo përditësime të tjera softuerike. Përdoruesit që jetojnë në Zonën Ekonomike Evropiane do ta marrin këtë falas, duke u regjistruar.
Për të tjerët, që të përfitojnë falas, duhet të kenë versionin më të fundit të Windows 10, një llogari Microsoft, dhe të kenë bërë backup të cilësimeve të kompjuterit.
Në të kundërt, duhet të paguani një tarifë prej 30 dollarë (rreth 22 £) ose të përdorni 1,000 pikë Microsoft Rewards për të hyrë në ESU. Për organizatat komerciale, kostoja është 61 dollarë për pajisje, megjithëse shuma ndryshon sipas vendit.
Çfarë po ndryshon?
Që nga dalja në treg në 2015, Microsoft ka vazhduar të mbështesë Windows 10 me përditësime të rregullta softuerike — për të shtuar funksione të reja dhe për të ndrequr dobësi të sigurisë e defekte.
Kompania rekomandon përdoruesit të kalojnë në Windows 11 falas, por disa pajisje të vjetra nuk mund ta përballojnë sistemin e ri operativ.
Gjithashtu, Microsoft po e bën më të vështirë përdorimin e Windows 11 pa një llogari Microsoft, ndërsa një nga mënyrat për të zgjatur jetën e një kompjuteri me Windows 10 gjithashtu kërkon një llogari të tillë.
Disa përdorues parapëlqejnë të mos hyjnë me llogari Microsoft për arsye privatësie./Përshtati nga BBC, ekofin.al
