Qeveria ka miratuar çmimet e reja për pullat fiskale. Edhe pse ishte premtuar dhe kërkuar nga bizneset në mënyrë të vazhdueshme ulje çmimesh, këtë herë ulja ka qenë modeste me 4-5 euro.
Çmimet e reja për pullat fiskale, do të jenë për produktet e duhanit 15.65 euro, për një mijë copë pa tvsh dhe taksat e tjera. Ndërkohë për verën do të jenë 25.04 euro, për birrën 17.22 euro, ndërsa për alkoolin 25.05 euro.
Çmimi i aplikuar deri në fund të vitit të kaluar nga kompania koncesionare “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k, për produktet duhanit ishte 20 euro/1 mijë copë, duke përjashtuar këtu TVSH-në dhe taksat e tjetra. Për alkoolin, pulla e akcizës kushtonte 32 euro për 1 mijë copë dhe për birrën 22 euro për 1 mijë copë.
Gjithashtu, qeveria ka përcaktuar në vendim edhe elementët e sigurisë së pullave fiskale.
Si krahasohemi me Evropën?
Në vendet evropiane, çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, ndërsa në Kosovë 2,2 USD. Sipërmarrësit vendas paguajnë gati disa herë më shumë në raport me çmimin mesatar të pullave në Europë.
Krijimi i shoqërisë shqiptaro- arabe
Në mars, u krijua shoqëria shqiptaro-arabe që do të merret me prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale. Ekofin.al raportoi ekskluzivisht se u regjistrua në QKB, ALBTrace Co, shoqëria me kapital të përbashkët, ku 51% e aksioneve (shumica e aksioneve) zotërohen nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë dhe 49% e aksioneve nga shoqëria e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe, O&S Security and Solutions LLP.
Një nga faktet interesante është se vetë shoqëria arabe, zotërohet në masën 40% nga SICPA Middle East Investments Holding LTD, shoqëri kjo e krijuar nga ish-koncesionari i pullave fiskale që ka operuar deri në vitin e kaluar në Shqipëri, si edhe pjesa tjetër prej 60% nga Oumulat Security Printing LLC, filial i Bankës Qendrore të Arabisë Saudite. Në këtë mënyrë, kompania SICPA, e cila ishte deri në fund të vitit 2024, për 12 vite koncesionari i pullave fiskale në Shqipëri dhe që nuk iu rinovua kontrata koncesionare, rikthehet sërish, këtë herë si ortake në sipërmarrjen e prodhimit dhe shpërndarjes së pullave fiskale. /ekofin.al

