Nga 1 janari 2027, vlefshmëria e policave të sigurimit të detyrueshëm do të mund të verifikohet publikisht përmes një kodi QR të shtypur mbi policë. Me skanimin e tij, qytetarët dhe organet e kontrollit do të drejtohen në portalin zyrtar të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ku do të shfaqet në kohë reale nëse sigurimi është aktiv dhe të dhënat përkatëse të kontratës.
Kjo parashikohet në ndryshimet e Rregullores nr. 159, datë 29 shtator 2021, “Për regjistrin elektronik online të shitjeve”, të ndryshuar. Dispozita tranzitore përcakton se verifikimi publik i policave përmes kodit QR i fillon efektet më 1 janar 2027.
Kodi do të gjenerohet automatikisht nga sistemi informatik i shoqërisë së sigurimit gjatë emetimit të policës. Ai do të përmbajë adresën e portalit zyrtar të verifikimit të AMF-së, të shoqëruar me Kodin Unik të Raportimit të policës. Vetë kodi QR nuk do të përmbajë të dhëna personale të pronarit apo përdoruesit të mjetit.
Verifikimi do të jetë i hapur për të siguruarit, palët e interesuara, organet e kontrollit dhe palët e treta, pa nevojën e një llogarie apo kredencialeve të aksesit. Skanimi me kamerën e telefonit ose me skanuesin brenda aplikacionit do të hapë automatikisht portalin dhe do të shfaqë rezultatin, pa veprime të tjera nga përdoruesi.
Përveç skanimit, rregullorja parashikon edhe kërkimin manual. Përdoruesi do të mund të vendosë Kodin e Raportimit ose targën së bashku me numrin e shasisë. Kërkimi vetëm me targë nuk do të pranohet, ndërsa vendosja e një pjese të kodit nuk do të japë rezultat. Kur për një mjet janë regjistruar disa polica, ato do të shfaqen në formë liste, me mundësinë për të hapur të dhënat e secilës.
Portali do të tregojë nëse polica është “AKTIVE” apo “JO AKTIVE”, duke sqaruar arsyen në rastin e dytë. Një policë mund të rezultojë jo aktive sepse mbulimi ende nuk ka filluar, ka skaduar, është anuluar, zëvendësuar ose dublikuar, apo është kthyer. Për policat e anuluara, të zëvendësuara ose të dublikuara dhe të kthyera do të shfaqet edhe data e ndryshimit të statusit.
Një element që duhet të kenë parasysh përdoruesit është afati i shfaqjes së policave të skaduara. Deri në 15 ditë pas përfundimit të mbulimit, rezultati do të jetë “JO AKTIVE – SKADUAR”. Pas këtij afati, polica nuk do të shfaqet më në portal dhe kërkimi do të japë përgjigjen “NUK U GJET”. Kështu, ky rezultat mund të shfaqet edhe për një policë që ka ekzistuar, por ka skaduar prej më shumë se 15 ditësh. Ndërkohë, mesazhi “KOD I REFUZUAR” do të tregojë se kodi i vendosur nuk ka formatin e kërkuar nga sistemi.
Për policat TPL, sigurimin kufitar dhe sigurimin e pasagjerëve, portali do të shfaqë të dhëna si shoqëria e sigurimit, tipi i policës, targa, numri i shasisë, data e lëshimit, fillimi dhe përfundimi i mbulimit, ditët e mbetura dhe statusi. Rezultati do të përmbajë edhe datën dhe orën kur është kryer verifikimi.
Për Kartonin Jeshil parashikohen të dhëna shtesë, përfshirë shtetin lëshues, kategorinë dhe markën e mjetit, pronarin dhe zonat e mbulimit. Këto të fundit do të shfaqen pasi informacioni përkatës të fillojë të ruhet në bazën e të dhënave të Regjistrit.
Rregullorja vendos kufizime për të dhënat që shfaqen gjatë kërkimit manual. Në këtë mënyrë verifikimi do të mbulohen dhe nuk do të shfaqen kodi i agjentit, HASH-i i Kodit të Raportimit, numri i kontratës dhe emri i pronarit. Shoqëritë e sigurimit, agjentët dhe AMF-ja mbeten përgjegjës për zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Nëse përdoruesi konstaton mospërputhje ndërmjet policës dhe informacionit që shfaqet në portal, do të mund ta njoftojë përmes rubrikës “Raporto problem”. Për problemet teknike të portalit janë përcaktuar adresat elektronike [email protected] dhe [email protected].
Ky është një hap që ndërmerret në kuadër të përpjekjeve për dematerializimin e policisë së sigurimit. Vitin e ardhshëm pritet të implementohet gjithashtu polica digjitale e sigurimit, përmes nënshkrimit elektronik, edhe pse për të deri tani është bërë pengesë kodi civil që quan të vlefse një kontratë vetëm kur ajo firmoset nga palët. /ekofin.al
