Kanë mbetur më pak se dy javë nga përfundimi i mandatit ligjor të institucioneve të rivlerësimit: Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë. Neni 179/b i Kushtetutës parashikon se me mbarimin e mandatit të këtij të fundit, kompetentecat e tyre do të ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.
Përgjatë procesit të rivlerësimit, Komisionerët Publikë kanë apeluar 109 vendime të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Ndërkohë, referuar statistikave të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nga 805 vendime të dhëna, rezulton se deri tani, 89% e vendimeve të marra kanë qëndruar në fuqi.
Kolegji do të shqyrtojë pjesën e mbetur të apelimeve, në proceset e të cilave do të marrë pjesë tashmë drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani nga 1 janari 2025, në rolin e Komisionerit Publik.
Në kuadër të ndryshimeve administrative, Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e 13 Dhjetorit që të kalojë nën administrim të SPAK-ut dhe të Ministrisë së Drejtësisë zyrat e rivlerësimit të gjyqtarëve.
Mandati i anëtarëve të KPK-së dhe Komisionerëve Publikë do të përfundojë më 31 dhjetor 2024, ndërsa i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në qershor 2026.
Kuvendi do të shfuqizojë Aneksin e Kushtetutës që rregullon procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe Prokurorëve pasi vendimi i fundit të ketë marrë formë të prerë, si dhe me mbi bazën e raportit të paraqitur nga Kryetari i Apelimit mbi gjendjen e çështjeve të papërfunduara ose kur përfundon mandati i KPA-së.
