Ndryshimet e parashikuara në ligjin për prodhimin, tregtimin, kërkimin dhe zhvillimin e armëve, municioneve dhe teknologjive ushtarake parashikojnë një skemë të zgjeruar lehtësish fiskale e doganore për subjektet që investojnë në këtë sektor.
Projektligji i ri, i hedhur në konsultim publik, ndryshon ligjin nr. 87/2024 dhe vendos rregulla të reja për gjurmimin e armatimeve, sigurinë e zinxhirit të furnizimit, monitorimin e përfitimeve fiskale dhe koordinimin ndërinstitucional në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.
0% tatim mbi fitimin për 10 vitet e para
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me paketën e incentivave për industrinë e prodhimit të armatimeve. Subjektet e licencuara parashikohet të përfitojnë normë 0% të tatimit mbi të ardhurat korporative për 10 vitet e para pas nisjes së aktivitetit.
Paketa përfshin gjithashtu: përjashtim nga TVSH-ja për importimin e mallrave, makinerive dhe pajisjeve të përdorura drejtpërdrejt në aktivitetin e licencuar; përjashtim nga taksat doganore për mallrat që shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e produkteve përfundimtare; normë zero të TVSH-së për shitjen e produkteve përfundimtare të prodhuara nga subjektet e licencuara; përjashtim nga taksat vendore për aktivitetet dhe pasuritë e paluajtshme që përdoren drejtpërdrejt për veprimtarinë e licencuar.
Lista e mallrave që do të përfitojnë nga përjashtimi doganor do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kontroll më i fortë mbi përfituesit
Lehtësitë nuk do të jenë pa kushte. Kompanitë përfituese do të duhet të dorëzojnë çdo vit pranë Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes raport mbi performancën financiare dhe operacionale, si dhe mbi realizimin e objektivave të planit të biznesit.
Ndryshimet e pronësisë, objektit të aktivitetit apo çdo rrethane tjetër që mund të ndikojë në kushtet e përfitimit duhet të raportohen menjëherë.
Projektligji krijon edhe një regjistër të posaçëm të përfituesve të lehtësive, ku do të evidentohen subjekti përfitues, lloji i incentivës, periudha e përfitimit dhe statusi i monitorimit.
Administrata tatimore, doganore dhe institucionet e tjera shtetërore do të shkëmbejnë të dhëna me Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes për verifikimin e përdorimit të këtyre lehtësive.
Deri në 3 milionë lekë gjobë për deklarime të rreme
Projektligji parashikon edhe sanksione të reja. Përdorimi i lehtësive në kundërshtim me qëllimin për të cilin janë miratuar mund të gjobitet nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë, ndërsa mosnjoftimi i ndryshimeve të rëndësishme mund të gjobitet nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë.
Për paraqitjen e të dhënave, deklarimeve ose dokumenteve të pasakta apo të rreme për përfitimin ose ruajtjen e lehtësive, gjoba parashikohet nga 1 milion deri në 3 milionë lekë, ose në përqindje në varësi të vlerës së përfitimit.
Në rast se subjekti përjashtohet nga skema e incentivave, ai duhet të kthejë përfitimin ekonomik të marrë në kundërshtim me ligjin. Në rast mashtrimi, dokumentesh të falsifikuara ose fshehjeje informacioni, kthimi i përfitimit llogaritet nga momenti i fillimit faktik të mospërputhshmërisë, së bashku me kamatëvonesat.
Gjurmim elektronik nga prodhimi deri te përdoruesi fundor
Një tjetër risi është krijimi i një regjistri elektronik për armatimin ushtarak, i administruar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes.
Subjektet e licencuara do të duhet të hedhin të dhënat që mundësojnë identifikimin dhe gjurmimin e armatimit të prodhuar, zhvilluar ose tregtuar në Shqipëri.
Agjencia do të monitorojë vendosjen e shenjave unike të identifikimit dhe gjurmimit në të gjitha fazat, nga prodhimi deri te përdoruesi fundor. Sistemet e gjurmimit të kompanive duhet të lidhen me regjistrin elektronik të Agjencisë.
Kontroll mbi origjinën e lëndëve të para
Projektligji vendos gjithashtu konceptin e “zinxhirit të furnizimit” dhe kërkon që operatorët ekonomikë të provojnë qëndrueshmërinë e tij përpara pajisjes me licencë prodhimi, tregtimi ose autorizim për kërkim dhe zhvillim.
Kompanitë duhet të dokumentojnë vendndodhjen gjeografike të furnitorëve dhe origjinën e lëndëve të para. Qëllimi është identifikimi dhe vlerësimi i varësive strategjike të industrisë shqiptare të mbrojtjes.
Në raste të veçanta, kur investimi ka kompleksitet ose rëndësi strategjike, Agjencia mund të zgjasë me një herë, deri në 30 ditë, afatin e shqyrtimit të aplikimit për licencim, me vendim të arsyetuar.
Ndryshime parashikohen edhe për Komitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë pranë Këshillit të Ministrave. Ai përcaktohet si organ me funksion koordinues ndërinstitucional dhe vendimmarrës strategjik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. /ekofin.al
