Muaji shkurt ka sjellë një ngadalësim të rritjes së netqendrimeve, si edhe normës së shfrytëzimit të dhomave në hotele nga turistët e huaj.
Referuar shifrave të publikuara nga INSTAT, netqëendrimet u rritën në total me 34.2%, krahasuar me të njëjten periudhë të vitit të kaluar, ndërsa rritja nga jo-rezidentët, pra turistët e huaj ishte në masën 32%. Në janar, kjo rritje ishte më e ndjeshme, 49.1%.
Gjithashtu, edhe rritja e vizitorëve në total ishte afro 30%, ku rritja e jo-rezidentëve ishte 32.2%, ndërsa e vendasve 26.4%.

Ashtu siç ishte e pritshme, rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë u shënua në zonat jo-bregdetare, me 29%, si edhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+29,1 %).
Italia mbetet vendi me më shumë vizitorë të huaj edhe për muajin shkurt (22 %), ndjekur nga shtetasit nga Kosova (16 %), dhe Gjermania (7 %). Mbretëria e bashkuar dhe Franca kontribuan përkatësisht me 6 % dhe 4 % të vizitorëve, ndërsa 45 % e tyre ishin nga vende të tjera. Edhe norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele zbriti në 16,5 %, krahasuar me 16,7 % që ishte në shkurt 2024.

Prej kohësh vijon debati në lidhje me numrin e përgjithshëm të turistëve, i cili ka shënuar rritje të ndjeshme nga viti në vit, për të arritur një tjetër rekord në vitin e kaluar dhe normës së shfrytëzimit të dhomave në hotele, që mbetet relativisht në shifra të ulëta, duke ngritur dyshime për marzhin e lartë të informalitetit në sektorin e turizmit. /ekofin.al
