Ndryshimet klimatike kanë shtuar më tej risqet e katastrofave natyrore dhe shumë vende kanë investuar si në masa parandaluese, ashtu edhe sa i përket kompensimit financiar kur ato ndodhin.
Në shtator, vendet e Europës Qendrore u goditën nga përmbytjet që sollën dëme të konsiderueshme, por edhe humbje jete në Republikën Çeke, Poloni e Gjermani. Gjithashtu edhe disa rajone të Italisë u goditën nga përmbytjet, që së fundmi prekën edhe Bosnjen.
Në Shqipëri, fundjavën e kaluar, përmbytjet goditën Vlorën, duke sjellë humbje të mëdha për qytetarët dhe bizneset. Autoritetet kanë nisur verifikimet dhe kanë deklaruar se do t’i ndihmojnë personat e prekur. Por se cila do të jetë ndihma dhe kur do të vijë ajo, kjo mbetet për t’u parë.
Po çfarë do të ndodhte nëse qytetarët dhe bizneset do të ishin të siguruar?
Në një intervistë për Top News, Avni Ponari, CEO i “SIGAL UNIQA Group Austria”, shprehet: “Atëherë përgjegjësia do ishte e gjitha mbi kompaninë e sigurimeve. Ata do të ishin vlerësuesit dhe përcaktuesit menjëherë të vlerës së dëmeve“.
Sipas tij, bashkia dhe organizmat e tjera shtetërore do të ndiqnin me kujdes ecurinë e vlerësimit të dëmeve, ndërsa nga ana tjetër do bëhej kalimi i menjëhershëm i parave në llogaritë e çdo qytetari apo biznesi të dëmtuar nga përmbytjet.
“Kjo do të ishte në një kohë shumë të shkurtër, sepse tregjet private kane aftësinë e rëndësishme të operimit drejtpërdrejt dhe shumë shpejt”, thotë CEO i SIGAL UNIQA.
I pyetur në lidhje me koston e një sigurimi ndaj tërmetit apo përmbytjeve, z. Ponari thekson: “Absolutisht jo më shumë se 50-100 euro në vit. Pra, një kosto mjaft e ulët por që ne na duhet dhe na ndihmon për të përmbushur detyrën dhe për të qenë e për tu kthyer në pozicionin e mëparshëm. Sepse sigurimet nuk parandalojnë rrezikun, ato kompensojnë financiarisht çdo dëm të shkaktuar dhe aq më tepër nga përmbytja dhe tërmetet, nga rreziqet katastrofike apo zjarret që mund të jenë të shumta dhe masive”.
Në fund, Ponari ka edhe një apel:
“Uroj që ngjarje të tilla mos të ndodhin më. Uroj që edhe ne të jemi pjesë e skemave të sigurimit nga rreziqet katastrofike sepse kjo tashmë është domosdoshmëri. Vendet e Europës e kanë bërë dhe po ecin me shpejtësi me këtë lloj risigurimi, me këtë lloj përgjegjësie e cila largon përgjegjësinë nga shteti dhe organizmat shtetërore nga bashkitë dhe ja kalon këtë kompanive të sigurimit, misioni i të cilave është pagesa e dëmeve të ndodhura në kohën e duhur“. /ekofin.al

