Një urim i pazakontë fundviti ka qarkulluar në mjediset e biznesit dhe rrjetet sociale, ku sipërmarrësi Nikollaq Neranxi zgjedh ironinë për të përshkruar realitetin e të bërit biznes në Shqipëri. Në një mesazh që ndërthur humorin me revoltën, Neranxi e përshkruan vitin 2025 si një vit shumë të suksesshëm për bizneset Neranxi, por njëkohësisht si një vit ku “fitimi” mbetet vetëm simbolik.
Sipas tij, pas një viti pune intensive, me produkte cilësore, burime njerëzore të angazhuara dhe rezultate të prekshme në kulinarinë shqiptare, momenti i festës vjen… por festa rezulton e cunguar. Fitimi, i krahasuar me një ëmbëlsirë, ndahet në shumë copa përpara se të shijohet: një pjesë shkon për TVSH-në, një tjetër për tatimin mbi fitimin, tatimin në burim, taksat doganore, sigurimet shoqërore e shëndetësore, akcizat, taksën mbi truallin, arsimin, pastrimin dhe deri tek taksa e tabelës. Në fund, për biznesin mbetet vetëm një copë e vogël, më shumë simbolike sesa reale.
Në këtë ironi të hidhur, Neranxi përshkruan sipërmarrësin shqiptar si dikë që zgjedh të punojë me ndershmëri, paguan çdo detyrim ligjor, përballet me çmime stratosferike të energjisë elektrike, ujit dhe karburantit, dhe në fund të vitit rezulton “mjeran”, jo për mungesë xhiroje, por sepse shteti i ka marrë pothuajse të gjithë fitimin. Një realitet paradoksal, ku bizneset xhirojnë shuma të mëdha, por hapësira për investim, shpërblim apo festë mbetet minimale.
Dialogu ironik mes punëtorit dhe pronarit e thellon më tej mesazhin. Pyetja e thjeshtë “A do festojmë që punuam gjithë vitin?” përballet me përgjigjen cinike se nuk ka me çfarë të festohet, sepse ajo që mbetet është vetëm një copë e vogël nga ajo tortë e fitimit. Ironia shkon edhe më tej, duke prekur plagën e madhe të informalitetit dhe emigracionit, si “alternativa” që sistemi i lë punëtorit dhe sipërmarrësit të ndershëm.
Mesazhi përmbyllet me një urim që tingëllon më shumë si thirrje sesa si dëshirë festive: shpresa që viti 2026 të mos jetë më një parajsë për abuzuesit dhe tregtarët e pandershëm, por një vend ku vlerësohet puna e ndershme dhe ku politika u shërben qytetarëve e bizneseve, jo e kundërta. Një urim që, edhe pse i veshur me humor, pasqyron qartë frustrimin e një pjese të madhe të sipërmarrjes shqiptare ndaj barrës fiskale dhe realitetit ekonomik në vend.
