Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi punimet për ndërtimin e nënstacionit elektrik “Tirana 3” në zonën e Petrelës, një projekt i konsideruar strategjik për rritjen e sigurisë së furnizimit me energji në kryeqytet dhe përballimin e kërkesës në rritje.
Gjatë vizitës, ministri u shoqërua nga kreu i OST, Elisian Bici, përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (BMZ), ambasadës gjermane në Tiranë dhe partnerit financiar KfW, të cilët vlerësuan progresin e punimeve dhe rëndësinë e investimit në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në sektorin energjetik.
Nënstacioni i ri është ndërtuar në një zonë ku më parë mungonte një infrastrukturë e tillë dhe përfshin tre linja 110 kV që lidhen me nënstacionet Traktorat, Selita dhe Farka. Ky konfigurim krijon një lidhje unazore të rrjetit elektrik në Tiranë, duke rritur ndjeshëm sigurinë e furnizimit, duke reduktuar humbjet në rrjet dhe duke minimizuar ndërprerjet për konsumatorët.
Sipas ministrit Karakaçi, investimi është pjesë e një pakete më të gjerë ndërhyrjesh në kryeqytet, që përfshin gjithashtu zhvillimet në nënstacionet e Qendrës, Zogut të Zi dhe Kinostudios, si dhe linjën “Tirana 1”. Ai theksoi se këto projekte janë thelbësore për të përballuar ritmet e shpejta të zhvillimit urban dhe për të garantuar një furnizim të qëndrueshëm me energji.
Ministri nënvizoi gjithashtu se bashkëpunimi me KfW shtrihet edhe në projekte të tjera strategjike, si linja e interkonjeksionit me Maqedoninë e Veriut, ku pjesa shqiptare ka arritur rreth 86% të realizimit, si dhe investimet në ndërtimin e nënstacionit të Kamzës dhe në digjitalizimin e Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).
Nga ana e saj, përfaqësuesja e BMZ, Heike Backofen-Warnecke, vlerësoi rëndësinë e këtij projekti në kuadër të bashkëpunimit gjermano-shqiptar dhe rolin e tij në forcimin e integrimit rajonal të rrjetit energjetik. Ajo theksoi se investime të tilla kontribuojnë jo vetëm në rritjen e sigurisë së furnizimit, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe afrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.
Nënstacioni “Tirana 3” pritet të hyjë së shpejti në operim, duke shënuar një tjetër hap në modernizimin e sistemit energjetik dhe në rritjen e qëndrueshmërisë së furnizimit në një nga zonat me rritjen më të shpejtë urbane në vend. /ekofin.al
