Në Tiranë u nënshkrua sot marrëveshja e kredisë dhe grantit për financimin e projektit për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Belshit, i cili do të jetë parku i parë i këtij lloji në pronësi të KESH.
Zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi rëndësinë e energjisë së rinovueshme dhe pavarësisë energjetike për Shqipërinë.
Sipas saj, ky projekt, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të luajë një rol kyç në rritjen e kapaciteteve energjetike dhe reduktimin e emetimeve të CO2 në vend.
Balluku theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të dukshëm në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe në promovimin e investimeve të gjelbra.
Ajo shtoi se ky projekt është një shembull i suksesit të bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht me Bashkimin Europian, i cili ka mbështetur këtë iniciativë me një grant prej 9.58 milionë euro, ndërsa BERZH ka ofruar një hua prej 30 milionë euro.
“Projekti ka afate të mirëcaktuara. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes ne do të përgatitemi për thirrjen ndërkombëtare të ndërtimit të këtij parku dhe në një periudhë gjashtëmujore kompania fituese duhet të dorëzojë projektin e detajuar dhe më pas 12 muaj janë të mjaftueshëm për ndërtimin e kësaj vepre. Për t’u ndalur vetëm për një çast, ne ashtu siç e thashë dhe më lart, tashmë kemi krijuar një traditë dhe kemi krijuar padyshim edhe një emër të mirë në tregun ndërkombëtar për sa i përket ankandeve të energjisë së rinovueshme këtu në vendin tonë”, deklaroi Balluku
Sipas ministres, ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për të rritur kapacitetet eksportuese të energjisë përmes linjave të interkonjeksionit me vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Greqia.
Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përdorimit të hapësirave të papërdorura për zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe angazhimin e bashkive të vendit në këtë proces.
