Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri njofton se Banka Europiane e Investimeve (BEI) do të investojë 80 milionë euro për të përmirësuar sistemin e shpërndarjes së ujit në Bashkinë e Tiranës, duke mundësuar disponueshmërinë e vazhdueshme të ujit të pijshëm të sigurt për mbi 800.000 qytetarë dhe reduktimin e humbjeve të ujit.
Sipas njoftimit kjo hua është e ofruar nën mbështetjen e “Ekipit Europa” dhe ky investim do të modernizojë efikasitetin e menaxhimit të ujit, do të përmirësojë sigurinë e furnizimit me ujë dhe do të kontribuojë për kushte më të mira shëndetësore dhe mjedisore në kryeqytet, duke rritur qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe duke nxitur rritjen ekonomike.
Sipas informacionit të publikuar projekti do të modernizojë rrjetin ekzistues të shpërndarjes së ujit dhe do të ofrojë shërbim të vazhdueshëm, të sigurt dhe afatgjatë të furnizimit me ujë në qytet, me linjën e re të transmetimit nga burimi ujor i Gurit të Bardhë dhe ngritjen e unazës së furnizimit me ujë me presion të lartë në Tiranë. “Gjithashtu do të përmirësojë cilësinë e ujit të pijshëm duke eliminuar sistemin e rezervuarëve të vegjël personalë të ndërtuar mbi çati, të cilët kanë një rrezik të lartë për ndotje të ujit. Investimi vjen në kuadër të Nismës për Qëndrueshmërinë Ekonomike të BEI-së, që synon të mobilizojë financat për të mbështetur rritjen, krijimin e vendeve të punës, projektet jetike të infrastrukturës dhe kohezionin social në rajonet fqinje të Bashkimit Europian”, shkruhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare.
Banka ka punuar më parë me Bashkinë e Tiranës për projektin e saj të parë të rizhvillimit urban në Shqipëri – bregu i lumit Lana – në vitin 2019.