Femrat në Shqipëri po preferojnë gjithnjë e më shumë biznesin, administrimin dhe ligjin për profesionin e ardhshëm, ndërsa meshkujt inxhinieritë, prodhimin dhe ndërtimin.
Të dhënat vijnë nga INSTAT dhe përfshijnë statistika të diplomimeve të nxënësve dhe studentëve në arsimin zyrtar në Shqipëri, si në institucionet arsimore publike dhe ato private.
Në vitin shkollor 2023-24, u diplomuan në arsimin zyrtar 82.712 nxënës dhe studentë: 33,5 % në arsimin 9 vjeçar; 32,3 % në arsimin e mesëm të lartë; 0,1 % në arsimin pas të mesëm jo të lartë; o34,1 % në arsimin e lartë.
Në arsimin 9-vjeçar, nga 27.705 të diplomuar, 51,4% ishin meshkuj dhe 48,6% femra.
Në arsimin e mesëm të lartë, u diplomuan 26.729 të diplomuar, 1.3 % më pak, krahasuar me vitin e kaluar akademik. Ndërsa në arsimin e mesëm të lartë profesional, nga 3.174 të diplomuar, 82,7% ishin meshkuj dhe 17,3% femra.
Ndërsa sa u përket studentëve, gjatë 2023-2024, nga 28.193 studentë të diplomuar në arsimin e lartë, 65,8% ishin studente femra. Fusha “Biznes, administrim dhe ligj” është më e preferuara për femrat, me 25,9% të të diplomuarave femra ndërsa fusha “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” është më e preferuar nga meshkujt, me 25,2% të të diplomuarve meshkuj.
Arsimi parauniversitar
Në vitin shkollor 2023-2024 në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 27.705 nxënës, nga të cilët 51,4 % ishin meshkuj dhe 48,6 % femra. Në arsimin e mesëm të lartë u diplomuan 26.729 nxënës, ku, 3.174 nxënës ishin të diplomuar në arsimin e mesëm profesional, me dominancë meshkuj me 82,7 %. Të diplomuarit e arsimit të mesëm të lartë profesional përbëjnë 11,9 % të të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm të lartë. Në arsimin pas të mesëm jo të lartë u diplomuan 85 persona, prej të cilëve 24,7 % femra dhe 75,3 % meshkuj. Fushat në të cilat u diplomuan janë: “Ndërmjetësim i pasurive të paluajtshme”, “Diagnostikim-menaxhim në autoservis” dhe “Dizajn dhe Modë”.
Arsimi i lartë
Në vitin akademik 2023-2024, u diplomuan në arsimin e lartë 28.193 studentë. Studentët e diplomuar në programet “Bachelor” përbëjnë 51,3 % e studentëve të diplomuar gjithsej, ndjekur nga programet “Master” me 43,1 %. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në këtë vit akademik, u diplomuan 18.555 studente femra, ose 65,8 % e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë.
Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 24,4 % ose rreth një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve. Analiza për secilën fushë të studimeve tregon se femrat në krahasim me meshkujt janë diplomuar më shumë në “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (83,0 %), ndjekur nga “Shkenca arsimi” (81,7 %) dhe “Shëndet dhe mirëqenie” (78,9 %). Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt krahasimisht me femrat janë “Shërbime” (67,3 %), “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (63,1 %) dhe “Teknologji e informacionit dhe komunikimit” me (56,2 %).



