Transporti në Tiranë kushton ndjeshëm më shtrenjtë sesa në Prishtinë. Jo vetëm kaq, por edhe blerja e një makine të re është shumë më shtrenjtë në Shqipëri sesa në Kosovë.
Sipas të dhënave të Numbeo, krahasuar nga Ekofin.al, kostoja e transportit varion nga 13 deri në 83.4 % më e lartë se në Prishtinë, në varësi të mjetit të transportit.
Vetëm bileta e urbanit në Prishtinë kushton 24.3% më shumë se në Tiranë, me 49.70 lekë (ose 0.50 cent), ndërkohë që të gjitha format e tjera të transportit janë më shtrenjtë në Tiranë sesa në kryeqytetin e Kosovës.
Aboneja e përgjithshme kushton 13% më pak me çmim 1,391 lekë ose 14 euro, ndërkohë që në Tiranë ajo kushton 1,600 lekë ose 16.10 euro. Nga shkurti i vitit 2024, urbanët në Prishtinë ofrojnë edhe WI-FI falas.
Tirana ka ndjeshëm edhe shërbimin taksi më të shtrenjtë, duke filluar nga 300 lekë tarifa normale për 1 km, rreth 33.7% më shumë se Prishtina, ku tarifa normale kushton 198 lekë ose (2 euro). Gjithashtu, taksia në dispozicion për një orë u kushton shqiptarëve 1,400 lekë ose 64.5% më shumë se kosovarëve të cilët paguajnë 497 lekë.
Po kështu edhe çmimi i naftës për litër në Tiranë është 28.7% më shtrenjtë se në Prishtinë. Në Tiranë 1 litër naftë kushton mesatarisht 184.76 lekë, ndërkohë në Prishtinë 131.76 lekë.
Nëse do të krahasonim edhe çmimin e shitjes së makinave të reja, si p.sh. Volkwagen Golf 1.4, 90 KW Trendline (ose një makinë e re e barazvleshme me të), në Tiranë ajo blihet për 34,203.74 euro, ndërkohë në Prishtinë ajo kushton 20,000 Euro ose 41.5% më lirë.
Modeli Toyota Corolla Sedan 1.6I, 97 kW Comfort (ose një makinë e re e barazvlefshme me të) në Tiranë kushton 30,842.13 euro, ndërkohë në Prishtinë 22,500 euro ose 27% më pak.
Sipas shifrave, distanca mesatare në përdorimin e makinës për të mbërritur në punë ose në shkollë në Prishtinë është 5.4 km, ndërsa në Tiranë është 14.25 km, ndërsa koha mesatare e shpenzuar në makinë është 15.60 minuta në Prishtinë dhe 25 minuta në Tiranë.
Në Prishtinë, koha mesatare në autobus drejt punës ose shkollës është 15.25 minuta, ndërkohë në Tiranë është 35 minuta dhe nëse do të llogariteshin edhe koha e ecjes, në Tiranë mesatarisht nevojiten 57.70 minuta. /ekofin.al