Në vitin 2023 kur kulmoi çështja tashmë nën hetim e abuzimit të disa shoqërive përmbarimore me kreditë e kategorizuara si “të këqija” dhe të shitura tek këto shoqëri, rezulton se numri i ankesave të qytetarëve në drejtim të Bankës së Shqipërisë ka shënuar rënie, krahasuar me vitin 2022.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë BSH rezulton se gjatë vitit të kaluar 239 individë, biznese, persona fizikë, media, përmbarues apo institucione shtetërore i janë drejtuar Bankës Qëndrore me një ankesë, kërkesë, apo letër. Pjesa më e madhe e këtyre ankesave kanë ardhur nga individët, në masën 83.7%.
Vihet deri se 45% e ankesave kanë ardhur për shkak të problematikave me kreditë dhe si shkak, në masën rreth 76%, Banka e Shqipërisë, e ka kategorizuar si “të tjera”, ku edhe ka përfshirë ankesat që lidhen me kundërshtimin e veprimeve përmbarimore, apo ato që kanë të bëjnë me pretendime të qyterarëve në lidhje me nivelin e komisioneve dhe normave të interesit të aplikuara nga bankat dhe institucionet financiare jobanka.
Rezulton se edhe pse në një numër më të vogël ankesash, në totalin e tyre, përsëri nuk kanë munguar ankesat e qytetarëve në drejtim të Bankës së Shqipërisë për veprime të cilësuara arbitrare nga ana e tyre, sidomos në periudhën kur çështja nën hetim e skandalit me institucionet përmbarimore ishte shpërfaqur dhe ishte në kulmin e saj.
Prokuroria ka bllokuar 10 milionë euro nga llogaritë e dy shoqërive të ndodhura në qëndër të këtij skandali MCA dhe Final, ndërkohë që në masë arresti janë 5 persona, ndërsa 4 të tjerë janë nën hetim me masa më të lehta sigurie. Megjithatë ende nuk ka një shifër të saktë se sa është numri i personave që kanë rënë pre e mashtrimit dhe abuzimit përmes skemave zhvatëse të ngritura nga personat nën akuzë. Ekofin.al

