Bizneset shqiptare kryesojnë regjistrimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit në vitin 2024, edhe pse më pak se në vitin 2023. Sipas statistikave të OpenData, sipas kombësisë rezultojnë në total 17,458 biznese të regjistruara. Në vitin 2023 numri i regjistrimeve shënonte 845 më shumë biznese.
Për vitin 2024 janë 15,805 biznese me pronësi 100% shqiptare, ndërsa shoqëri me pronarë të huaj 100% rezultojnë 1422 të tilla, ose 3 më shumë se viti 2023.
Po sipas të dhënave, biznese me pronësi të përbashkët shqiptarë dhe të huaj janë 223 për vitin 2024, duke shënuar një rënie me 78 biznese më pak krahasuar me vitin 2023.
Numri i bizneseve shqiptare shtetërore është 7 për vitin 2024 dhe 6 në vitin 2023.
Sipas formës juridike kryesojnë bizneset e regjistruara si person fizik me 12,910 të tilla në total, të ndjekura nga shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar me 4445 sipërmarrje të regjistruara nga 2024.
Regjistrimi i bizneseve nga Dhjetori 2024 kryhet në portalin “E-Albania”.
Çdo vendim i QKB-së në lidhje me miratimin, pezullimin apo refuzimin e aplikimit i njoftohet në mënyrë elektronike aplikantit në portalin “e-Albania”, si dhe në faqen zyrtare të QKB së, jo më vonë se 1 (një) ditë nga data e paraqitjes së aplikimit.
Ndërkohë çdo person i interesuar, pa qenë i detyruar të identifikohet, mund të kryejë kërkime në të dhënat e publikuara nga QKB-ja në faqen zyrtare për çdo të dhënë të regjistruar, me përjashtim të adresës së banimit të individëve.
Këto kërkime mund të kryhen elektronikisht në faqen zyrtare të QKB-së. Gjithashtu, çdo person ka të drejtë të marrë, në format elektronik, ekstrakte për të dhënat e regjistruara të çdo subjekti, ndërsa, në format shkresor, mund të marrë kopje të dokumenteve shoqëruese, të depozituara në regjistër, kundrejt pagesës së tarifës përkatëse. /ekofin.al