Ligji që rregullon funksionimin e organizatave jofitimprurëse do të ndryshojë sërish. Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë sot për konsultim publik ndryshimet. Ky projektligj pritet të unifikojë terminologjinë në të gjithë përmbajtjen e ligjit nr. 80/2021, në vijim të shfuqizimeve të kryera nga Gjykata Kushtetuese.
Me ndryshimet e reja hiqet afati detyrues i regjistrimit brenda 30 ditëve, duke mos parashikuar afat të detyrueshëm për regjistrim, si dhe duke riformuluar dispozitën.
Sa më sipër, togfjalëshi “regjistrim fillestar” është zëvendësuar në të gjithë përmbajtjen e ligjit në dispozitat përkatëse me qëllim unifikimin e terminologjisë dhe arritjen e qartësisë së normës juridike, e njëjta qasje është ndjekur edhe sa i përket togfjalëshit “regjistrime të tjera”, duke vlerësuar të zëvendësohet me togfjalëshin “regjistrimi i ndryshimeve të të dhënave”.
Kjo ndërhyrje synon të korrigjojë çdo paqartësi që mund të lindë në vijim të zbatimit të këtij ligji, pasi konkretisht me shfuqizimin e kompetencave të kancelarit për ndjekjen e procedurave për kryerjen e regjistrimeve të tjera të organizatave jofitimprurëse, mbetet e paparashikuar se cili është organi i cili do të vijojë të kryejë këtë funksion që i ishte atribuar shprehimisht kancelarit.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka marrë në analizë nenin 49 të ligjit nr. 80/2021, i cili parashikon kundërvajtjet administrative, duke arsyetuar se në përputhje me parimin e proporcionalitetit, moskryerja e regjistrimit fillestar brenda afatit të përcaktuar në ligj, konsiderohet jokushtetues.
Po ashtu, sa i përket shkeljeve të tjera administrative të parashikuara në pikat 2 dhe 3, të nenit 49 të ligjit nr. 80/2021, konkretisht deklarimi në regjistrin elektronik i të dhënave të pavërteta, kur kjo nuk përbën vepër penale, si dhe moskryerja e detyrimit për regjistrimet e tjera të detyrueshme brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, Gjykata ka vlerësuar se këto mjete janë më të ashpra se sa duhet për të arritur objektivin e kërkuar, duke pasur parasysh natyrën e këtyre shkeljeve, të cilat lidhen vetëm me deklarimin e të dhënave të regjistrin elektronik dhe pasojat që mund të sjellin ato.
Në lidhje me marzhin e përcaktuar nga 0.1% deri në 1%, gjykata shprehet se ai nuk plotëson standardet lidhur me qartësinë e normës juridike për sa i përket kuptimit dhe përllogaritjes së gjobave mbi të ardhurat vjetore të deklaruara të organizatave jofitimprurëse, duke i bërë këto ndëshkime për nga natyra e tyre arbitrare.
Ndaj, në vijim të arsyetimit të Gjykatës, është vlerësuar rishikimi i masave administrative duke parashikuar një gjobë me shumë fikse, për shkeljet e tilla si deklarimi i të dhënave të pavërteta në regjistrin elektronik si dhe për moskryerjen e regjistrimit për ndryshimet e të dhënave.
Në nenin 6 të projektligjit është parashikuar ndryshimi i nenit 8 të ligjit nr. 80/2021, në përputhje me arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese se detyrimi i organizatave jo fitimprurëse për regjistrimin fillestar, detyrim i cili kur nuk përmbushet cilësohet si kundërvajtje administrative në kuptim të nenit 49 të ligjit nr. 80/2021 dhe dënohet me gjobë, përbën një prej formave të ndërhyrjes në lirinë e organizimit.
Me ndryshimet e reja, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, janë shfuqizuar kompetencat e kancelarit të parashikuara nga ligji i sipërcituar për kryerjen e regjistrimeve të tjera të organizatave jofitimprurëse dhe nëpërmjet këtij projektligji këto kompetenca do të kryhen prej gjyqtarit të seksionit tregtar, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Projektligji parashikon gjithashtu edhe kundërvajtjet administrative. Në lidhje me masat administrative, Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar si shkelje administrative konsiderohet deklarimi në regjistrin elektronik i të dhënave të pavërteta, kur kjo nuk përbën vepër penale, si dhe moskryerja e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të detyrueshme brenda afateve të parashikuara nga ky ligj.
Duke marrë në referencë parashikimet e ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, për të njëjtat shkelje janë parashikuar masat administrative prej 60,000 lekësh, përfundon relacioni./ekofin.al
