Ministria e Mbrojtjes ka hedhur për konsultim publik projekligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
Qëllim është përmirësimi i kuadrit ligjor në fuqi për disa aspekte të rëndësishme të kompetencave, të komandimit e të drejtimit të Forcave të Armatosura nga autoritetet përkatëse, si dhe çështjet e tjera që lidhen me saktësimin e kuadrit ligjor mbi “Planin e Vendosjes së Forcave të Armatosura”.
Mungesa e rregullimit të kuadrit në ligjin e vjetër ka çuar në propozimin e një kreu të veçantë për “Planin e vendosjes së Forcave të Armatosura”, me karakter strategjik, në të cilin përcaktohen vendndodhja e zonave dhe objekteve ku kryejnë aktivitetin e tyre ditor për punë, jetesë, stërvitje, përgatitje për operacione, përkujdesje, si dhe mbështetje logjistike dhe administrative Forcat e Armatosura. Ndërsa pronat jashtë Planit do të konsiderohen ato pasuri të paluajtshme shtetërore që janë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes ose të një personi tjetër juridik, të krijuar sipas formave të parashikuara nga ligji.
Plani hartohet nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, bazuar në Planin Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura dhe përmban detyrimisht emërtimin dhe vendndodhjen e strukturës, si dhe koordinatat.
Ky plan do të jetë objekt rishikimi periodikisht çdo 5 vjet dhe, në çdo kohë, kur është e nevojshme, nëse ka ndryshime të nevojave të Forcave të Armatosura, si dhe përputhshmërisë së nevojave operacionale për mbështetjen e operacioneve dhe të plotësimit të standardeve të NATO-s.
Gjithashtu plani do të ndryshojë kur investime me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit apo kur ndërtime, përmirësime të infrastrukturës publike, prekin pjesërisht apo plotësisht një pronë brenda Planit të Vendosjes së Forcave të Armatosura.
Përcaktimi i rëndësisë së veçantë për investimet për zhvillimin ekonomik të vendit, përcaktohen rast pas rasti nga Këshilli i Ministrave me propozimin e ministrit përgjegjës për ekonominë apo sipas vendimit të një organi kolegjial për dhënien e një statuti të veçantë për këto investime, sipas legjislacionit në fuqi.
Projektligji përcakton edhe si do të kryhet administrimi i pronave
Pronat në përgjegjësi administrimi, administrohen nga Ministria e Mbrojtjes ose nga një personi tjetër juridik, i krijuar sipas formave të parashikuara nga ligji, pranë Ministrisë së Mbrojtjes për këtë qëllim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Pronat brenda dhe jashtë Planit të Vendosjes mund të jepen për përdorim të dyfishtë në interes të Ministrisë së Mbrojtjes, për aq kohë sa nuk cenohen kapacitetet operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ndërsa ato që dalin jashtë Planit të Vendosjes jepen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit për mbrojtjen dhe ministrit për ekonominë, duke ruajtur kapacitetet operacionale, nëpërmjet kompensimit, shkëmbimit të pasurive të paluajtshme, sipas legjislacionit në fuqi.
Këshilli i Ministrave përcakton njëkohësisht kriteret, procedurat, dhe mënyrat e administrimit si dhënies me qira, enfiteozë, përdorim të dyfishtë apo kontrata të tjera të pronave në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes./ekofin.al
