Ndryshimet e projektligjit ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’ synojnë të përmirësojnë skemën e kompensimit për prodhuësit bujqësorë, duke rikthyer kompensimin direkt 10% për fermerët dhe duke përcaktuar afate të reja për aplikimin e pagesës.
Sipas draftit norma e kompensimit për prodhuesit bujqësorë rikthehet në 10 për qind, një ndryshim i rëndësishëm që synon të lehtësojë barrën fiskale të fermerëve dhe të përmirësojë likuiditetin në sektorin bujqësor. Kompensimi do të llogaritet mbi bazën e vlerës totale të produkteve dhe shërbimeve bujqësore të furnizuara gjatë një periudhe gjashtëmujore, duke shumëzuar këtë vlerë me normën 10%.
Blerësi, që duhet të jetë person i tatueshëm dhe i regjistruar për TVSH, është i detyruar të lëshojë faturë tatimore për çdo furnizim nga fermeri, në përputhje me legjislacionin për ushqimin dhe me përcaktimet ligjore. Në faturë duhet të shënohet NIPT-i i fermerit, ndërsa fermerët përjashtohen nga skema e kompensimit kur blerësi ushtron aktivitet ekonomik të tipit “restorant”.
Vende të tjera të Ballkanit Perëndimor që kanë zgjedhur të aplikojnë këtë skemë janë Bosnje-Hercegovina prej 5%, si dhe Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, të cilat kanë një normë kompensimi prej 8%, e ndryshme nga shkalla standarde e TVSH-së që varion nga 17-21%. Ndërsa, në vendet e Bashkimit Evropian që aplikojnë këtë skemë, norma e kompensimit varion nga rreth 2-12%, e ndryshme nga shkalla standarde e TVSH-së që varion nga rreth 19-25%.
Pagesa e kompensimit do të kryhet nga Drejtoria Rajonale Tatimore, pas paraqitjes së kërkesës nga prodhuesi bujqësor, e shoqëruar me kopjet e faturave tatimore dhe numrin e llogarisë bankare. Projektligji përcakton edhe dy afate të qarta për dorëzimin e kërkesave për kompensim: deri më 31 dhjetor, për furnizimet e periudhës janar–qershor të atij viti;deri më 30 qershor të vitit pasardhës, për furnizimet e periudhës korrik–dhjetor të vitit paraardhës.
Tatimet do të kryejnë kompensimin brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, duke garantuar një proces më të shpejtë dhe transparent.
Aktualisht, sipas ligjit “Për TVSH-në”, norma e kompensimit për prodhuesit bujqësorë është zero për qind, por sektori përfiton një sërë lehtësish tatimore dhe fiskale për të nxitur prodhimin dhe investimet në bujqësi.
Ligji parashikon përjashtime nga TVSH-ja për furnizimin dhe importimin e makinerive bujqësore;makineritë dhe pajisjet që përdoren në kontrata investimi në agrobiznes, pavarësisht vlerës së investimit; importimin e kafshëve të gjalla për majmëri dhe riprodhim, si dhe materialit biologjik për inseminim artificial; insektet e dobishme dhe mjetet për mbrojtjen e bimëve, si ferromonet dhe grackat ngjitëse.
Gjithashtu, zbatohet TVSH e reduktuar: 6% për shërbimet e akomodimit dhe restorantit në strukturat e agroturizmit, me përjashtim të pijeve; 10% për inputet bujqësore si plehra kimike, pesticide, fara dhe fidanë.
Krahas këtyre lehtësimeve fiskale, bujqësia mbështetet edhe përmes subvencioneve nga buxheti i shtetit, duke e bërë sektorin një nga përfituesit kryesorë të politikave kombëtare të mbështetjes ekonomike.
Projektligji parashikohet të sjellë tri ndryshime kryesore që prekin drejtpërdrejt mënyrën se si kompensohen prodhuesit bujqësorë.
Së pari, norma e kompensimit për fermerët rritet nga 0% në 10%, duke rikthyer një formë mbështetjeje fiskale për këtë sektor dhe duke synuar të zbusë efektin e TVSH-së në kostot e tyre të prodhimit.
Së dyti, blerësi i mallrave apo shërbimeve bujqësore duhet të jetë jo vetëm një subjekt i regjistruar për TVSH, por edhe i licencuar sipas legjislacionit për ushqimin, për të garantuar transparencë dhe kontroll më të mirë në zinxhirin e furnizimit bujqësor.
Së treti, parashikohet që kompensimi t’i paguhet drejtpërdrejt fermerit nga Drejtoria Rajonale Tatimore, ku ai ushtron aktivitetin, duke e bërë procesin më të rregullt, të gjurmueshëm dhe të mbështetur nga administrata fiskale. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

