Me ndryshimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore, rishikohet edhe mënyra se si krijohen, drejtohen dhe mbikëqyren agjencitë autonome.
Ndryshimi kryesor është se ligji nuk i trajton më agjencitë autonome thjesht si struktura administrative me funksione të specializuara, por i lidh ato më qartë me rolin rregullator në tregje dhe në sektorë me interes publik. Me formulimin e ri, një agjenci autonome krijohet për të zbatuar ligjin dhe politikat në fusha ku duhet rregullim dhe mbikëqyrje, si tregjet e caktuara të ekonomisë, shërbimet me interes publik, përdorimi i infrastrukturës së madhe publike apo infrastruktura esenciale.
Në ligjin ekzistues, agjencia autonome mund të krijohej kur funksioni nuk kishte nevojë për drejtim të përhershëm nga Kryeministri apo ministri, kërkonte specializim të thellë në menaxhim dhe financohej pjesërisht ose plotësisht nga burime të tjera përveç buxhetit të shtetit. Tashmë theksi zhvendoset më shumë te funksioni rregullator dhe te mbrojtja e interesit publik përmes standardeve teknike, ekonomike dhe të sigurisë.
Ndryshimet e reja ligjore përcaktojnë se agjencia autonome ka pavarësi të plotë në ushtrimin e kompetencave rregullatore. Me fjalë të thjeshta, kur agjencia merr një vendim rregullator brenda kompetencave të saj, as ministria, as një institucion tjetër publik nuk mund t’i tregojë se si duhet të vendosë apo çfarë rezultati duhet të arrijë.
Po ashtu, aktet rregullatore të agjencisë nuk mund të revokohen, shfuqizohen, anulohen, rishikohen apo ndryshohen nga një institucion tjetër publik. Kush nuk pajtohet me këto akte mund t’i kundërshtojë vetëm në gjykatën administrative. Ky është një ndryshim i fortë në raport me mënyrën e mëparshme të mbikëqyrjes, sepse i jep agjencisë më shumë mbrojtje nga ndërhyrjet administrative në vendimmarrje.
Megjithatë, pavarësia nuk do të thotë shkëputje nga sistemi shtetëror. Agjencia autonome do të jetë pjesë e sistemit ministror të fushës ku hartohen politikat përkatëse dhe do të mbikëqyret nga ministria përgjegjëse. Ndryshimi është se ministria mund të mbikëqyrë veprimtarinë dhe performancën, por nuk mund të urdhërojë rezultatin e vendimeve rregullatore.
Ligji shton edhe një detyrim të ri për bashkëpunim. Agjencia autonome duhet të bashkëpunojë me ministrinë përgjegjëse dhe institucionet e tjera publike. Ajo ka të drejtë dhe detyrim të japë propozime apo vërejtje kur hartohen politika që lidhen me fushën e saj. Pra, agjencia nuk shihet vetëm si zbatuese, por edhe si strukturë që jep ekspertizë në politikëbërje.
Ndryshon edhe mënyra se si mund të krijohet, bashkohet, ndryshohet apo mbyllet një agjenci autonome. Tashmë çdo nismë duhet të nisë vetëm pas një analize të thelluar organizativo-funksionale. Kjo analizë duhet të tregojë pse duhet ndryshimi, çfarë nuk funksionon në formën aktuale, cilat janë alternativat dhe çfarë pasoja ka vendimi në buxhet dhe në numrin e punonjësve.
Nëse propozohet krijimi i një agjencie të re, ministria duhet të shpjegojë pse ky funksion nuk mund të kryhet nga një strukturë ekzistuese brenda ministrisë, nga një institucion varësie apo nga një agjenci ekzistuese. Kjo synon të shmangë hapjen e strukturave të reja pa nevojë dhe të kërkojë më shumë arsyetim për zgjerimin e administratës.
Ndryshime ka edhe në drejtimin e agjencive autonome. Më parë ligji parashikonte struktura si këshilli drejtues dhe drejtori ekzekutiv, ose drejtori i përgjithshëm dhe këshilli mbikëqyrës. Tani parashikohet që agjencia autonome të drejtohet nga një organ drejtues monokratik ose kolegjial, pra nga një drejtues i vetëm ose nga një trupë drejtuese.
Organi drejtues do të jetë përgjegjës për vendimet rregullatore, për planin vjetor të performancës, për raportin vjetor të performancës dhe për drejtimin e brendshëm të agjencisë. Nëse agjencia drejtohet nga organ kolegjial, drejtimi administrativ mund t’i lihet kryetarit, një zëvendëskryetari ose një nëpunësi civil të nivelit drejtor apo drejtor i përgjithshëm.
Një tjetër risi është mandati i drejtuesve. Kryetari, anëtari i organit kolegjial ose drejtuesi i agjencisë autonome do të emërohet për 5 vjet, me të drejtë riemërimi vetëm një herë radhazi. Përzgjedhja duhet të bëhet me procedurë të hapur dhe transparente, bazuar në integritet dhe merita profesionale.
Ligji përcakton edhe rastet kur drejtuesi mund të shkarkohet. Ai mund të largohet nëse shkel rëndë ligjin, vepron në konflikt interesi, cënon parimin e pavarësisë, dënohet me vendim gjykate të formës së prerë, ose kur agjencia nuk paraqet planin apo raportin vjetor të performancës. Një tjetër arsye shkarkimi është kur raporti vjetor i performancës nuk miratohet për 2 vjet radhazi./ekofin.al

