Edhe bankat apo degët e bankave të huaja, do t’i nënshtrohen rregullave strikte të Bankë së Shqipërisë mbi licencimin dhe operimin në treg.
Ndryshimet e publikuara në Fletoren Zyrtare, e zhvendosin fokusin e mbikëqyrjes drejt individëve që zotërojnë dhe drejtojnë bankat, duke e bërë më të detajuar vlerësimin e integritetit dhe sjelljes së tyre financiare.
Banka prezanton “reputacionin e mirë”, si një kusht të detyrueshëm për aksionarët dhe administratorët. Sipas rregullores, këta individë nuk duhet të jenë të akuzuar apo të dënuar penalisht, të kenë detyrime tatimore apo pasurore të pashlyera, të jenë në procese ekzekutimi apo të përfshihen në listat e sanksioneve ndërkombëtare. Ky standard e bën më të matshëm dhe më të kontrollueshëm kriterin e integritetit.
Përtej këtij përkufizimi, rregullorja e lidh drejtpërdrejt reputacionin me vendimmarrjen rregullatore. Banka e Shqipërisë mund të refuzojë miratimin ose të ndërpresë procedurat nëse aksionarët nuk plotësojnë këto kritere, ose nëse kanë qenë pjesë e strukturave të pronësisë së institucioneve financiare që kanë humbur licencën.
Në dokumentacionin për licencim kërkohet tashmë raport nga regjistri i kredive, i cili duhet të jetë i përditësuar dhe i lëshuar jo më herët se tre muaj nga data e aplikimit. Kjo kërkesë synon të vlerësojë disiplinën financiare reale të individëve dhe jo vetëm deklarimet formale.
Banka e Shqipërisë do të kontrollojë drejtpërdrejt listat e sanksioneve të OKB-së dhe Bashkimit Evropian gjatë vlerësimit të aksionarëve dhe administratorëve, duke e bërë këtë një pjesë integrale të procesit të licencimit dhe mbikëqyrjes.
Ndryshimet prekin edhe procedurat administrative, duke vendosur afate më të qarta për plotësimin e dokumentacionit. Në rast se kërkesat nuk plotësohen brenda 6 muajve nga aplikimi, procedura ndërpritet dhe mund të rifillojë vetëm pas paraqitjes së plotë të dokumenteve. Ky mekanizëm synon të shmangë zvarritjet dhe të rrisë disiplinën në procesin e licencimit.
“Në rastin e degës ose filialit të bankës së huaj, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi me bankën mëmë, lidhur me dërgimin nga kjo e fundit të informacionit periodik për gjendjen financiare të bankës së huaj, si dhe informacionin e nevojshëm për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit (PPP/FT), për qëllime të mbikëqyrjes së konsoliduar. Në kuadër të mbikëqyrjes së konsoliduar, banka mëmë vë në dispozicion të Bankës së Shqipërisë, informacion të plotë, të dokumentuar dhe të përditësuar lidhur me politikat dhe masat e brendshme efektive të zbatuara në nivel grupi, në fushën e PPP-së/FT-së, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira të mbikëqyrjes financiare.”;
Gjithashtu, në rastet kur gjatë procesit të licencimit ka luhatje të kursit të këmbimit që ndikojnë në kapitalin e kërkuar, Banka e Shqipërisë mund të kërkojë plotësimin e menjëhershëm të diferencës, duke vendosur një standard më të fortë për qëndrueshmërinë financiare të aksionarëve./ekofin.al
