Ndryshimet e botuara në Fletoren Zyrtare të Udhëzimit “Për tatimin mbi të ardhurat” qartësojnë trajtimin tatimor të artistëve të huaj që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, duke futur një rregull të ri specifik për rezidencën tatimore.
Dispozita parashkon se artistët që nuk janë shtetas shqiptarë nuk do të konsiderohen rezidentë tatimorë për një periudhë 24-mujore, edhe nëse plotësojnë kriteret klasike të rezidencës, si qëndrimi mbi 183 ditë apo qendra e interesave jetike.
Periudha 24-mujore nis nga momenti i hyrjes së parë në Shqipëri për ushtrimin e aktivitetit artistik dhe zbatohet pavarësisht numrit të ditëve të qëndrimit. Edhe nëse artisti hyn dhe del disa herë nga vendi, afati vijon të llogaritet pa u ndërprerë dhe nuk rifillon nga e para.
Ky është një ndryshim thelbësor, pasi përjashton automatikisht aplikimin e kriterit të 183 ditëve, i cili deri më tani ka qenë një nga elementët kryesorë për përcaktimin e rezidencës tatimore.
Konkretisht, kjo do të thotë se artistët e huaj nuk do të tatohen mbi të ardhurat e tyre globale gjatë kësaj periudhe, por vetëm për të ardhurat që kanë burim në Shqipëri.
Një shembull konkret i përfshirë në udhëzim ilustron efektin e këtij rregulli.
Shembulli 1
Këngëtari i njohur me iniciale “A.A.”, shtetas italian, hyn për herë të parë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 1 mars 2026 për të zhvilluar një veprimtari artistike. Gjatë 24 muajve, nga momenti i hyrjes për herë të parë, ai qëndroi në Shqipëri për më shumë se 183 ditë në secilin vit kalendarik.
Në zbatim të pikës 8.9 të këtij udhëzimi, këngëtari “A.A.” nuk do të konsiderohet rezident tatimor në Republikën e Shqipërisë për një periudhë 24-mujore, e cila fillon më 1 mars 2026 dhe përfundon më 29 shkurt 2028.
Gjatë kësaj periudhe, ai trajtohet si tatimpagues jorezident dhe tatohet vetëm për të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë, sipas dispozitave të nenit 58, pika 2, të ligjit.
Në përfundim të periudhës 24-mujore, duke filluar nga data 1 mars 2028, përcaktimi i rezidencës tatimore të tijbëhet sipas rregullave të përgjithshme të parashikuara në ligj.”
Nga ana administrative, artistët kanë gjithashtu detyrimin të provojnë momentin e hyrjes së parë dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në Shqipëri, në rast se kjo kërkohet nga administrata tatimore. Ky ndryshim vendos një element shtesë kontrolli, duke shmangur interpretimet abuzive të statusit. /ekofin.al

