Parkimi i makinave në rresht të dytë ose “dysh”, një nga shkeljet më të përhapura në qytetet shqiptare, pritet të mos trajtohet më si një kundërvajtje e zakonshme rrugore, por si veprim penal, me dënime që mund të arrijnë deri në një vit burgim.
Në projektligjin e nxjerrë në konsultim për ndryshimet në Kodin Penal, parashikohet shtimi i një neni të ri, nenit 293/1 “Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë”, i cili do ta trajtojë këtë veprim si pengesë serioze ndaj qarkullimit dhe sigurisë publike.
Sipas propozimit, pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë, përveç rasteve kur bëhet fjalë për dy biçikleta, dy ciklomotorë me dy rrota ose dy motorë me dy rrota, do të konsiderohet kundërvajtje penale nëse: pengon qartazi dhe drejtpërdrejt lëvizjen e automjeteve të policisë, zjarrfikëseve, ambulancave apo shërbimeve të tjera institucionale; bllokon plotësisht rrugën duke bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve të tjera; ose shkakton bllokim total për këmbësorët, duke u bërë pengesë serioze për sigurinë publike.
Në këto raste, shkelësi do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Ky nen plotëson nenin 293 të Kodit Penal “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, i cili parashikon dënime më të rënda deri në tri vjet burgim për pengimin e qarkullimit automobilistik, hekurudhor, ujor apo ajror me çdo mjet apo mënyrë.
Autoritetet e drejtësisë dhe të rendit publik e kanë justifikuar ndryshimin me rritjen e rasteve të bllokimeve të rrugëve urbane për shkak të parkimeve të pakujdesshme, që shpesh vonojnë edhe mjetet e emergjencës.
Nëse miratohet, kjo dispozitë do të shënojë herën e parë që parkimi në rresht të dytë përfshihet qartazi në Kodin Penal, duke kaluar nga një shkelje administrative në një vepër penale me pasoja konkrete për drejtuesit e automjeteve. /ekofin.al
