Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektligjin me disa ndryshime në Kodin Doganor.
Sipas relacionit shoqërues, projektligji, krahas qartësimit të disa dispozitave, parashikon edhe lehtësimin e disa procedurave për operatorët ekonomike në aspektin procedural dhe po ashtu për ankimin dhe pagesën e kamatëvonesave për detyrimet e papaguara.
Në këtë kuptim, dispozita e ndryshuar parashikon se “Shuma maksimale e kamatëvonesës që zbatohet nga autoritetet doganore nuk duhet të tejkalojë shumën e detyrimeve të importit ose eksportit mbi të cilat zbatohet kamatvonesa.” Përmes këtij ndryshimi synohet vendosja e një limiti për kamatvonesën për të lehtësuar pagesën e borxhit për debitorët dhe si një nxitje për ta paguar borxhin doganor.
Aktualisht, sipas ligjit në fuqi, norma e kamatëvonesave zbatohet mbi shumën e detyrimit të importit ose eksportit nga data e përfundimit të afatit të parashikuar deri në datën e pagesës. Norma e kamatëvonesave është e njëjtë me normën e aplikuar në ditën e parë të muajit në fjalë nga Banka e Shqipërisë, për operacionet e saj kryesore të rifinancimit, të rritura me 2 për qind.
Ndryshimet e reja të Kodit Doganor parashikojnë se depozitimi, ndryshimi dhe anulimi i deklaratës përmbledhëse të hyrjes apo deklarata të depozituara që zëvendësojnë atë, analiza e riskut si dhe njoftimi i mbërritjes së një anijeje detare ose një mjeti ajror, nuk do të zbatohen në disa raste.
Së pari, në rastet kur mallrat joshqiptare futen në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë pasi kanë lënë përkohësisht atë territor nga deti ose ajri dhe transporti të jetë kryer me rrugë direkte pa ndalesë jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë.
Ndërsa për mallrat shqiptare, kur statusi i tyre duhet të provohet sipas kërkesave ligjore, si dhe në rastet kur mallrat shqiptare që lëvizin pa ndryshuar statusin e tyre futen në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë pasi kanë lënë përkohësisht atë territor nga deti ose ajri dhe transporti të jetë kryer me rrugë direkte pa ndalesë jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë.
Kjo shtesë ligjore bëhet duke marrë parasysh situatat e ndryshme të mallrave joshqiptare dhe shqiptare. Me qëllim që të sigurohet një mbikëqyrje doganore efektive e mallrave joshqiptare, dispozitat që rregullojnë detyrimin për dërgimin e mallrave në vende të caktuara, për t’i paraqitur ato në doganë gjatë shkarkimit ose transbordimit dhe pritjes së autorizimit përpara shkarkimit ose transbordimit, si dhe dispozitat që rregullojnë magazinimin e përkohshëm, duhet të vazhdojnë të zbatohen për mallrat joshqiptare.
Me këtë shtesë, mallrat joshqiptare përjashtohen vetëm rregullat që rregullojnë detyrimin për të paraqitur deklaratën përmbledhëse të hyrjes dhe detyrimin për të njoftuar mbërritjen e një anijeje detare ose të një avioni.
Kodi Doganor do të përjashtojë plotësisht nga detyrimi i importit produktet e përpunuara që rezultojnë nga mallrat e vendosura nën regjimin e përpunimit pasiv kur vërtetohet sipas autoritetit doganor që: ato mallra janë riparuar ose ndryshuar në një vend ose territor jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë me të cilin Republika e Shqipërisë ka lidhur një marrëveshje ndërkombëtare që parashikon një përjashtim të tillë.
Meqenëse fushëveprimi i këtij lehtësimi është i kufizuar në importin e produkteve që janë riparuar ose ndryshuar në të vërtetë në vendin ose territorin në fjalë, ai nuk duhet të shtrihet në importin e produkteve të riparuara ose të ndryshuara të marra nga mallra ekuivalente ose të produkteve zëvendësuese sipas sistemit standard të shkëmbimit. Prandaj, përjashtimi nga detyrimet e importit nuk duhet të zbatohet për ato mallra dhe produkte, thuhet në relacion. /ekofin.al
