Rishikimi i tretë i Buxhetit për këtë vit, i ndërmarrë më 19 Dhjetor, ka bërë një rishpërndarje të fondeve nga një sërë zërash dhe institucionesh, duke i vendosur ato në dispozicion për programe të tjera buxhetore. Kjo ka bërë që buxheti i disa ministrive të reduktohet, ndërsa i të tjerave të shtohet. Ekofin.al analizoi ndryshimet që ka pësuar buxheti i ministrive në zërat kryesorë.
Rezulton se rritjen më të madhe të fondeve në nivel ministrish e ka përfituar Infrastruktura dhe Energjia, ndërsa reduktimin më të madh Ministria e Mbrojtjes. Kështu, fondet për infrastrukturën nga 64.38 miliardë lekë në rishikimin e kaluar të buxhetit në gusht, janë rritur në 67.31 miliardë lekë me aktin e fundit normativ të dhjetorit.
Rritja më e fortë vihet re te fondet për rrugët, që janë rritur me lëvizjen e fundit të buxhetit me 12.9 miliardë lekë. Një pjesë e mirë e fondeve që i janë shtuar rrugëve janë hequr nga zëri “transporti detar”, ku ishin parashikuar fondet edhe për nisjen e ndërtimit të portit të ri në Porto Romano.
Në anën tjetër, reduktimi me mbi 8 miliardë të fondeve për mbrojtjen, nga rreth 48.7 miliardë në 40.6 miliardë me aktin e fundit normativ, ka zbritur nën 2% të PBB-së shpenzimet faktike për mbrojtjen gjatë vitit 2024.
Duke analizuar ministritë një e nga një, rezulton se për Bujqësinë në total ka reduktim të fondeve me rishikimin e fundit të buxhetit. Bie në sy se janë hequr fondet e programuara për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, ndërkohë që janë shtuar fondet në dispozicion për t’u shpërndarë si mbështetje për fermerët.
Ndërkohë, fondet e parashikuara për t’u shpenzuar nga Ministria e Shëndetësisë janë reduktuar me 2.3 miliardë lekë, kjo për shkak të mosrealizimeve në disa zëra, edhe pse në mënyrë të vazhdueshme nuk mungojnë kritikat dhe denoncimet e qytetarëve për mungesë të barnave mjekësore në spitale, sidomos për pacientët me sëmundje tumorale, apo për kushtet në disa spitale të vendit.
Reduktim fondesh me mbi 1 miliardë lekë ka edhe për arsimin, aty ku shtesën e ka përfituar vetëm sporti, me një fond prej 200 milionë lekësh për KOKSH-in për projektin e ekipeve sportive në shkolla dhe 100 milionë lekë për organizimin e disa etapave të eventit çiklistik “Giro d’Italia” në vendin tonë.
Reduktime fondesh ka patur edhe për ministrinë e turizmit dhe atë të drejtësisë, ndërkohë që janë rritur fondet për ministrinë e brendshme, të jashtme, vetë ministrinë e financave, si edhe ministrinë e ekonomisë.
Një pjesë e fondeve të shtuara në llogarinë e ekonomisë, plot 2 miliardë lekë janë për t’iu transferuar Albcontrolit, si mbështetje financiare në formën e huasë. Kjo është hera e dytë që në fund të vitit, ashtu siç veproi edhe në fund të 2023, qeveria i jep mbështetje ekstra kësaj shoqërie, për shkak të bllokimit të llogarive të saj si pasojë e debisë ndaj Francesko Bechettit.
Në ndryshimet e tjera përfshihet edhe krijimi i llogarisë së posaçme në Bankën e Shqipërisë, me vlerë 6.3 miliardë lekë, për t’u përdorur për bonusin e pranverës për vitin 2025, që nënkupton de facto zhvendosje të këtyre fondeve nga buxheti 2024 në vitin e ardhshëm buxhetor. Gjithashtu, është alokuar edhe fondi prej 2.1 miliardë lekë për mbështetjen e shtresave në nevojë, këtë herë për bonusin e fundvitit 2024. /Ekofin.al